Kosovë Lajme Politikë

Njësia Speciale në Skenderaj, reagon Bedri Hamza: Ndalu, Albin!

Kryetari i Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar pas zhvillimeve të mbrëmshme në Skenderaj, duke akuzuar Qeverinë e Kosovës për presion dhe demonstrim force përmes angazhimit të njësive speciale të Policisë së Kosovës në rajonin e Drenicës.

Hamza tha se mbrëmë janë parë “skena aspak të mira”, derisa sipas tij, Policia e Kosovës ka vepruar me urdhër të Qeverisë.

“Mbrëmë pamë skena aspak të mira, ku Policia e Kosovës, me urdhër të Qeverisë, dërgoi njësi speciale në Drenicë me prapavija presioni dhe demonstrimi force”, deklaroi Hamza.

Ai i bëri thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të ndalë, siç u shpreh ai, propagandën, gjuhën e urrejtjes dhe provokimet politike.

“E porosis kryeministrin në detyrë të ndërpresë propagandën, të ndërpresë urrejtjen dhe, para së gjithash, t’i ndalë menjëherë provokimet dhe keqpërdorimin e shtetit për skenarë të tij partiakë”, tha kreu i PDK-së.

Hamza shtoi se, sipas tij, “nuk mund të parandalohet braktisja nga votuesit me skenarë të rrezikshëm përçarës”.

“Ndalu, Albin”, shkruan ai.

Hamza u bëri thirrje votuesve të PDK-së dhe qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të fokusohen tek zgjedhjet e 7 qershorit.

Postimi i plotë:


POSTIMI

Ndryshe, orët e mbrëmjes, kanë qenë me shumë zhvillime në Skënderaj. Policia e Kosovës ka shkuar me Njësi Speciale në këtë komunë, disa orë pas incidentit ku Sami Lushtaku e rrahu Hysni Mehanin e VV-së.

Megjithatë, prezenca e madhe e Njësisë Speciale, nuk u prit mirë. Njerëzit dolën në rrugë, përderisa Policia u arsyetua me nevoja operacionale.

Njësia Speciale e Kosovës ka zhvilluar një aksion në Skenderaj, ku janë ndaluar disa persona.

Ganimete Musliu ka reaguar ndaj situatës në Skenderaj, duke akuzuar pushtetin për abuzim me institucionet shtetërore.Ajo i ka bërë thirrje Albin Kurtit që t’i tërheqë forcat speciale nga Skenderaj.

“Përdorimi i institucioneve shtetërore dhe aparatit të pushtetit kundër një komune vetëm se nuk mund të depërtosh politikisht përbën një abuzim serioz të pushtetit. Veprime të tilla thellojnë përçarjet, nxisin tensionet dhe kontribuojnë drejtpërdrejt në një mjedis ku dhuna normalizohet. Albin mos nxit dhunë, tërhiqi forcat speciale nga Skenderaj”, ka deklaruar Musliu.

Nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura ka reaguar pasi pjesëtarë të Njësisë Speciale u panë në këtë qytet.

Ai në një shkrim në Facebook, ka thënë se çdo atmosferë tensioni apo shtetrrethimi atje, zgjon kujtime që vendi i ka paguar shtrenjtë.

“Sonte, në mesnatë, në Sheshin e Lirisë “Adem Jashari” në Skenderaj, shumëkush mund të ndiejë peshën e një simbolike të rëndë. Jo sepse historia po përsëritet, e as sepse kohët janë të njëjta, por sepse çdo atmosferë tensioni e shtetrrethimi në këtë qytet zgjon kujtime që ky vend i ka paguar shtrenjtë.

Kur qytetarët fillojnë të ndiejnë presion aty ku duhet të ndiejnë liri, atëherë çdo pushtet duhet të reflektojë”, ka shkruar ai.

Në disa pamje ku Ganimete Musliu shihet duke biseduar me një zyrtare policore, ajo i thotë se po bëhen kontrolle rutinore. Përderisa, të gjitha veturat kishin qenë 01, e jo 02 rajon të cilit i përket Skënderaj.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë dje bëri të ditur se Sami Lushtaku nuk i është përgjigjur ftesës për intervistim.

“Po ashtu, janë intervistuar në cilësinë e viktimave H.M., dhe B.Z., pesë (5) dëshmitarë si dhe dy (2) të dyshuar me iniciale E.L., dhe B.N., të cilët me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për dyzetë e tetë (48) orë, me dyshimin për kryerjen e veprës penale “Lëndimi i lehtë trupor”. Ndërkaq, dy (2) të dyshuar tjerë për këtë rast me iniciale S.L., dhe K.H., deri në këto momente nuk i janë përgjigjur ftesës për intervistim”, thuhet në njoftim.