Kosovë Lajme Politikë

“Lista e zezë” e Kurtit: Hyn në garë me persona të dënuar dhe të akuzuar nga Gjykatat

“Ai që e shkel kushtetutën është super-kriminel”-Albin Kurti

Dje dhe sot janë publikuar të gjitha listat e partive politike me emrat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit. Dikush me emra të rinjë, dikush me renditje të re, por dikush nuk u kursye fare dhe përfshiu në listë persona që e kanë shkelur ligjin e Kushtetutën, shkruan Periskopi.

Kryetari i Vetëvendosje, Albin Kurti ka vendosur që garës së 7 qershorit t’i hyjë me “perforcime” të cilat kanë shkuar poshtë e lartë Gjykatave.

I pari i VV-së i ka futur në listë ish-ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdarin e cila është e akuzuar nga Prokuroia Speciale për skandalin me rezerva shtetërore.

Rozeta Hajdari bashkë me tre të tjerë ngarkohen se e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë gati 3 milionë euro.

Edhe Egzon Azemi mori besimin e Kurtit për të hyrë në listën e partisë. Azemi që në listën e VV-së bart numrin 57, në muajin prill është dënuar nga Gjykata me 1 vit e gjashtë muaj burg për “kanosje dhe nxitje të përcarjes dhe urrejtjes”.

Ndërsa ata që i dënuan atë Azemi, i kishte quajtur “ata që i nënshtrohen Serbisë”.

“Qantat që vijnë andej kufirit të Republikës kurrë nuk do të na mbyllin gojën. Rroftë Republika e Kosovës, turp atyre që lirojnë kriminelë serbë e neve na dënojnë veç pse reagojmë”- kishte shkruar Azemi.

POSTIMI

Ndërsa listës së Vetëvendosjes iu bashkua për herë dytë edhe Fatos Geci i cili para disa jave dha një deklaratë skandaloze kundrejt ish-Presidentit Hashim Thaçi duke kërkuar burgim të përjetshëm për të, “siç ndodhi me rastin Murseli”.

“Sot, dua të përshëndes vendimin e gjykatës për burgim të përjetshëm ndaj Naim Murseli. Dhe ju (duke iu drejtuar deputetëve të PDK-së) që shpresoni se lideri juaj suprem do të lirohet, do ta përcjellë i njëjti fat. Por, edhe nëse lirohet ai nuk ka kurrfarë kredibiliteti përball Albin Kurtit”, kishte deklaruar Geci mes të tjerash në Kuvend.