Kosovë Lajme Politikë

KQZ: Emrat e kandidatëve në listat për deputetë do t’i nënshtrohen verifikimit tek institucionet relevante

Sot (e martë) është afati i fundit që partitë politike duhet t’i dorëzojnë listat e kandidatëve për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit.

KQZ-ja ka paralajmëruar se të gjithë kandidatët që synojnë të garojnë në zgjedhjet e 7 qershorit për Kuvendin e Kosovës, do t’i nënshktrohen procesit të verifikimit institucional.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes këtij procesi do të kontrollojë nëse kandidatët për deputetë i përmbushin kriteret ligjore për pjesëmarrje në zgjedhje, në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, përkatësisht nenin 30 të tij.

“Në kuadër të përmbushjes së obligimeve ligjore që kanë të bëjnë me përshtatshmërinë/aftësinë e kandidatëve për certifikim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do t’u dërgojë institucioneve relevante kërkesat për verifikim, së bashku me listën e kandidatëve që synojnë të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje, me qëllim të vlerësimit nëse ata janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Kjo është një praktikë e ndjekur nga KQZ edhe në proceset e kaluara zgjedhore”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për media.