Ish-ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar se s’do të jetë pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosjes për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.
Durmishi përmes një postim në Facebook ka thënë se ai vetë ka kërkuar që të mos jetë pjesë e listës.
“Me kërkesën time dhe pas konsultimit me Kryeministrin Albin Kurti, kam vendosur që të mos jem pjesë e listës në këto zgjedhje. E falënderoj Kryeministrin për mirëkuptimin dhe mbështetjen. Jam i bindur se Lëvizja VETËVENDOSJE!, do të dalë bindshëm fituese në këto zgjedhje, madje me rezultat edhe më të madh se ai i 28 dhjetorit të vitit të kaluar. Angazhimi im do të jetë maksimal për fitoren e madhe që na pret. Prandaj, i ftoj të gjithë ata që më kanë mbështetur mua, si dhe çdo qytetar pa dallim, për mobilizim dhe angazhim të përbashkët drejt fitores sonë”, ka shkruar Durmishi.
