Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë të datës 18 nëntor 2025, me të cilin të akuzuarit Nderim Gashi, Ardit Gashi, Agron Gashi, Bahri Gashi dhe Basri Gashi u dënuan me 44 vjet burgim në total.
Ankesat e palëve u elaboruan në seancën e datës 26 mars 2026, e cila u mbajt nga kolegji i gjyqtarëve i përbërë nga Valbona Musliu-Selimaj – kryetare, Xhevdet Abazi – gjyqtar referues dhe Kadrije Goga-Lubishtani – anëtare e kolegjit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë drejt dhe në mënyrë të plotë i ka konstatuar dhe vlerësuar të gjitha rrethanat që ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit të shqiptuar ndaj të akuzuarve.
Në vijim, Apeli vlerëson se pretendimet e Prokurorisë Themelore në Pejë nuk janë të bazuara, ngase në ankesë, përveç që i përsërit rrethanat rënduese të potencuara në vendimin e Themelores, nuk ka cekur asnjë rrethanë tjetër me ndikim për shqiptimin e një dënimi tjetër.
Apeli njëjtë i vlerëson edhe pretendimet e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Fanol Krasniqi, duke konsideruar se në përmbajtjen e ankesës së tij flitet më shumë për kualifikimin juridik të veprave penale dhe atë duke pretenduar se të akuzuarit është dashur të shpallen fajtorë për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje, e jo të lirohen të akuzuarit tjerë, e që me këtë edhe dënimi konsiderohet i butë, duke përfshirë të gjithë të akuzuarit.
Po ashtu, Apeli ka gjetur se edhe pretendimet ankimore të mbrojtësve të akuzuarve, avokatëve Emrush Kastrati, Ruzhdi Gashi, Muhamet Ibraj, Gzim Kollçaku dhe Gani Kelmendi janë të pabazuara.
Sipas Apelit, mbrojtësit e të akuzuarve nuk kanë cekur asnjë rrethanë tjetër lehtësuese që do të ndikonte në zbutjen e dënimit, që do të thotë se Themelorja i ka vlerësuar të gjitha rrethanat rënduese dhe, duke i marrë parasysh ato, u ka shqiptuar dënimin të akuzuarve si në dispozitiv të vendimit të ankimuar.
Në fund, Apeli thekson se duke i pasur parasysh të gjitha rrethanat e konstatuara në vendimin e ankimuar, rrethanat e rastit konkret dhe mënyrën se si është zhvilluar ngjarja kritike, rezulton se dënimi të cilin e ka shqiptuar gjykata e shkallës së parë ndaj të akuzuarve është i drejtë dhe i ligjshëm, dhe se i njëjti është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës së kryer dhe shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarve.
Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” kishte siguruar incizimin e seancës së shpalljes së aktgjykimit, ku Nderim Gashi ishte dënuar me 28 vjet burgim, ndërsa Basri, Agron, Ardit dhe Bahri Gashi me nga 4 vjet secili për vrasjen e F.H., që kishte ndodhur në Volljakë të Klinës. Në total, në rigjykim ishin shqiptuar 44 vjet burgim, përderisa në gjykimin e parë ishin shqiptuar 84 vite burgim në total për të akuzuarit.
Pas vendimit të dytë të Themelores, “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar se vëllai i të vrarit në Volljakë të Klinës, F.H., Mahmut Hoxhaj, dyshohet se për hakmarrje ka plagosur dy persona pasi Gjykata Themelore në Pejë shqiptoi 44 vjet burgim për pesë të akuzuarit për vrasjen që kishte ndodhur më 2022. Ai i kishte pritur viktimat në parking dhe kishte shtënë në drejtim të dy personave. Policia e kishte arrestuar menjëherë në vendin e ngjarjes.
Njëri nga të plagosurit ishte Basri Gashi, i cili është i akuzuar në rastin e vrasjes së vëllait të Hoxhajt dhe i cili më 17 tetor, pas shpalljes së aktgjykimit, u lirua nga masa e paraburgimit. I plagosuri tjetër ishte A.U., i cili kishte shkuar t’i marrë Gashin dhe të tjerët që ishin liruar nga paraburgimi.
Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Pejë, e përmirësuar më 3 shkurt 2023, ngarkonte gjashtë të akuzuarit: Nderim Gashi, Basri Gashi, Agron Gashi, Ardit Gashi, Bahri Gashi dhe Ylli Gashi, për “Vrasje të rëndë”, “Vrasje të rëndë në tentativë”, “Armëmbajtje pa leje” dhe ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit Nderim, Basri, Agron, Ardit dhe Bahri, më 28 prill 2022, rreth orës 20:30, në fshatin Volljakë, Komuna e Klinës, në parkingun e restorantit “Villa Park”, të përgatitur paraprakisht dhe duke vepruar në bashkëkryerje, me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt, e privuan nga jeta viktimën F.H., duke vënë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë. Kurse, Ylli Gashi akuzohej se ndihmoi në kryerjen e vrasjes, duke siguruar armën për të pandehurin Nderim.
