Anija luftarake e Marinës Mbretërore Britanike HMS Dragon po dislokohet nga Mesdheu Lindor drejt Lindjes së Mesme përpara një roli të mundshëm në një mision të ardhshëm shumëkombësh në Ngushticën e Hormuzit.
Ministria britanike e Mbrojtjes tha se vendimi do të thotë që anija mund të kontribuojë menjëherë, nëse është e nevojshme, në një mision të ardhshëm për të mbrojtur lirinë e lundrimit përmes rrugës ujore.
Ajo shtoi se çdo plan do të ishte rreptësisht mbrojtës dhe do të synonte rivendosjen e besimit për transportin tregtar.
Në mars, anija “shkatërruese” e Tipit 45 u vendos për të mbrojtur bazat ajrore britanike në Qipro pas një sulmi me dron në RAF Akrotiri.
Por anijes iu deshën gjashtë ditë për t’u larguar nga Portsmouth dhe më pas u detyrua të ankorohej për mirëmbajtje pasi arriti në Qipro – më pak se një muaj pasi u nis.
Ministria e Mbrojtjes tha pas njoftimit të sotëm se Qiproja do të mbetej “e mbrojtur mirë”, edhe pa HMS Dragon, dhe se aftësitë mbrojtëse të Mbretërisë së Bashkuar në ishull ishin forcuar që nga janari.
Ndryshe, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca po udhëheqin përpjekjet ndërkombëtare për të koordinuar një plan ushtarak për të shoqëruar anijet përmes Ngushticës kur kushtet ta lejojnë.
Në prill, planifikues ushtarakë nga 44 vende u takuan në Mbretërinë e Bashkuar për të diskutuar opsionet e mundshme.
Më herët këtë javë, Forcat e Armatosura Franceze konfirmuan se grupi i tyre i aeroplanmbajtësve Charles de Gaulle kishte kaluar Kanalin e Suezit, duke u drejtuar për në Detin e Kuq./
