U.D presidentja e vendit, Albulena Haxhiut, ka ftuar Bashkimin Evropian që të dërgojë Mision Vëzhgues për zgjedhjet e 7 qershorit.
Haxhiu, i është drejtuar me letër presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, dhe përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, , Kaja Kallas, ku ka bërë ftesën për dërgimin e misionit vëzhgues të zgjedhjeve.
‘‘U.D. Presidentja Haxhiu ka theksuar se prania e Misionit Vëzhgues të BE-së do të kontribuonte në transparencën, kredibilitetin dhe integritetin e procesit zgjedhor, në përputhje me përkushtimin e vazhdueshëm të Republikës së Kosovës për standarde demokratike dhe zgjedhje të lira’’, thuhet mes tjerash në komunikatë.
Komunikata:
U.D. Presidentja Haxhiu fton Bashkimin Evropian të dërgojë Mision Vëzhgues për zgjedhjet e 7 qershorit
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka dërguar letër Presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, njëherësh Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, përmes së cilës ka ftuar Bashkimin Evropian të dërgojë Mision Vëzhgues të Zgjedhjeve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të caktuara për datën 7 qershor 2026.
Në letrën e saj, U.D. Presidentja Haxhiu ka theksuar se, në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese, ka nxjerrë vendimin për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme. Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi, ajo ka ftuar Bashkimin Evropian që, përmes një Misioni të pavarur Vëzhgues, të përcjellë dhe vlerësojë zhvillimin e zgjedhjeve.
U.D. Presidentja Haxhiu ka theksuar se prania e Misionit Vëzhgues të BE-së do të kontribuonte në transparencën, kredibilitetin dhe integritetin e procesit zgjedhor, në përputhje me përkushtimin e vazhdueshëm të Republikës së Kosovës për standarde demokratike dhe zgjedhje të lira.
Republika e Kosovës e ka vlerësuar vazhdimisht rolin e Bashkimit Evropian në mbështetjen e institucioneve demokratike dhe në avancimin e standardeve zgjedhore. Ftesa për dërgimin e Misionit Vëzhgues është vazhdim i kësaj praktike institucionale dhe shprehje e përkushtimit të Kosovës për një proces zgjedhor të hapur, transparent dhe të besueshëm.
