Kosovë Lajme

“Është teatër i luajtur pas perdeve” – Çka paralajmëroi Hashim Thaçi për zhvillimet në Gjykatën Speciale?

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë tjetër intervistë.

Ai i pyetur se çka ka mësuar në këtë betejë, tha se është një teatër që po luhet pas perdeve.

“Është një teatër i luajtur pas perdeve. Por për një gjë jam i sigurt: sikur të ndodhte një proces i tillë nga autoritetet kosovare, jo që nuk do të heshtnin, por do të reagonin fuqishëm Komisioni Evropian, Këshilli i Evropës, Parlamenti Evropian dhe organizatat për të drejtat e njeriut, mediat evropiane etj. Jam i bindur Kosova do të ndëshkohej e paguante çmim të lartë nga Brukseli për shkelje të të drejtave të njeriut”, tha Thaçi në Opinion.

Ndryshe ish-presidenti i Kosovës, ka dhënë një intervistë për herë të parë për një televizion të Shqipërisë.

Ai këtë gjykatë e përshkroi si proces devijuar nga misioni i drejtësisë.

Kështu e përshkroi ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi procesin gjyqësor në Hagë ndaj tij dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në një intervistë me shkrim për emisionin “Opinion” me Blendi Fevziun, duke cituar profesorin amerikan Daniel Sewer. Ai tha se gjykata duhet të ofrojë drejtësi dhe jo“hakmarrje të bazuar në mashtrim”.

Thaçi shprehu besimin se, pas dëgjimit të dëshmitarëve të Prokurorisë dhe atyre të mbrojtjes, gjykatësit do të nxjerrin një vendim të drejtë dhe meritor. Ai kujtoi se ky proces nuk lidhet vetëm me fatin e tij personal, por edhe me historinë e rezistencës dhe lirisë së Kosovës.

Duke folur për jetën në Hagë, ai tha se po kalon vitin e gjashtë në izolim pa vendim gjyqësor, ndërsa qëndrimin atje e përshkroi si shkëputje të gjatë nga jeta familjare, publike dhe institucionale.