Hetimi ndaj 109 komisionarëve të ndaluar për dyshime mbi keqpërdorim të votave, si dhe përgatitjet për zgjedhjet e 7 qershorit, kanë ngritur çështjen e integritetit dhe transparencës së procesit zgjedhor në vend. Ndërkohë, institucionet dhe KQZ-ja kanë paralajmëruar masa dhe rregulla të reja për menaxhimin e procesit zgjedhor.
Vetëm brenda një dite u ndaluan 109 komisionarë, në mesin e tyre edhe familjarë të kandidatëve për deputet në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.Disa prej tyre u dërguan në mbajtje, nën dyshimin për keqpërdorim të votave.
Katër muaj më vonë, procesi hetimor ende nuk është përmbyllur, ndërsa vendi po përgatitet për zgjedhjet e 7 qershorit.
Nga KQZ-ja thonë se përzgjedhja e komisionarëve do të trajtohet me kujdes, por personave nën hetime nuk u ndalohet përfshirja në proces.
Në masë të madhe, kjo përcaktohet edhe nga emrat që do të dërgojnë partitë politike.
“Është vendosur një mekanizëm i ri kontrolli gjatë numërimit të votave, ku pas pranimit të materialeve në QNR, mund të vendoset rinumërimi deri në 10% të vendvotimeve të përzgjedhura rastësisht”, ka thënë Valmir Elezi- zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Ndërkohë, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi theksojnë se si komisionarët ashtu edhe kandidatët për deputetë duhet të kenë integritet të lartë zgjedhor.
“Mbetët në diskrecionin e partive që ta masin integritetin e kandidatëve të tyre, dhe që në listat e tyre ti vendosin njerëzit me integritet zgjedhor”, ka thënë Melos Kolshi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Për vëzhguesit tashmë KQZ ka miratuar Rregulloren e re, e cila parasheh ndalimin e certifikimit për personat që kanë probleme me ligjin. E njëjta rregullore obligon partitë politike, që të dorëzojnë në
KQZ deklaratë me shkrim, përmes së cilës zotohen se vëzhguesit e tyre do t?u përmbahen ligjeve dhe rregullave zgjedhore.
Numri i rregulloreve të ndryshuara për zgjedhjet e 7 qershorit ka arritur në katër, ndërsa në këtë fazë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të mos plotësohet me anëtarin e fundit nga radhët e partive politike.
Për këtë çështje foli gjatë ditës ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
“Tashmë janë, duke qenë që kanë kaluar të gjitha afatet, e rëndësishme ka qenë për mua të kuptoj nëse do të bllokohej KQZ në mungesë të këtij anëtari…ju e dini që mendimi im dihet tash e sa kohë, për mua është e rëndësishme që të respektohet fuqia politike”, ka thënë Haxhiu.
Megjithatë, Haxhiu tha se duke qenë se KQZ-ja nuk bllokohet në mungesë të një anëtari, ajo do të vazhdojë të funksionojë dhe t’i ushtrojë përgjegjësitë e saj, sipas vlerësimit të nevojshëm.
