Lajme Lajme

Begaj për aksidentin tragjik në Durrës: Jeta dhe siguria e qytetarëve është e shenjtë

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, ka reaguar pas ngjarjes tragjike që ndodhi sot në lagjen 15-të në Durrës, ku tre fëmijë u goditën nga një veturë, dy prej tyre vdiqën derisa një tjetër është në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.

Begaj u shpreh i tronditur për aksidentin e tmerrshëm, derisa tha se lutet me përunjësi për shpirtërat e tyre.

“Ngushëllimet e mia më të sinqerta për prindërit dhe familjarët e dy engjëjve të vegjël. Uroj shërim për fëmijën që ndodhet i shtruar në spital”, tha Begaj.

I pari i shtetit shqiptar shtoi se institucionet përgjegjëse të marrin masa për rritjen e sigurisë në qarkullim, të bëjnë një hetim shterues për ngjarjen dhe qytetarët të rrisin përgjegjshmërinë për zbatimin e ligjit, transmeton Klankosova.tv.

“Jeta dhe siguria e qytetarëve është e shenjtë!”, deklaroi ai.