Botë Lajme

Vjen reagimi nga Berlini pas kërcënimeve të Trumpit për tërheqjen e trupave nga Gjermania

Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, ka komentuar vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të tërhequr një pjese të trupave të saj nga Evropa, duke e cilësuar atë si një zhvillim të parashikueshëm.

Pistorius theksoi se evropianët duhet të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e kontinentit dhe se ka nevojë urgjente për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse evropiane, raporton Skynews.

Sipas tij, ky vendim është pjesë e një procesi më të gjerë, ku Evropa duhet të përqendrohet në rritjen e vetëpërgjegjësisë dhe në zhvillimin e kapaciteteve të saj ushtarake. “Ishte e parashikueshme që SHBA do të tërhiqte trupat nga Evropa, përfshirë edhe Gjermaninë”, ka thënë Pistorius.

Në përgjigje të këtij ndryshimi, ai njoftoi se Gjermania do të intensifikojë bashkëpunimin me “Grupin e Pesëve”, një aleancë e përbërë nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia dhe Polonia, për misionet e sigurisë dhe mbrojtjes që do të zhvillohen në të ardhmen.

Ndërkohë, siç transmeton klankosova.tv, Pentagoni ka konfirmuar planet për të tërhequr rreth 5000 trupa amerikane nga territori gjerman si pjesë e një rishikimi më të gjerë të pranisë ushtarake amerikane në Evropë.

Kjo tërheqje është planifikuar të realizohet brenda një periudhe 6-12 muajsh dhe është pjesë e një strategjie të re që synon të riorganizojë praninë ushtarake të ShBA-së në kontinentin evropian.

Gjermania ka luajtur një rol kyç në praninë ushtarake amerikane në Evropë për dekada, duke shërbyer si një bazë logjistike dhe operacionale për misionet e NATO-s dhe operacionet amerikane në shumë rajone të botës.

Tërheqja e trupave amerikane nga Evropa është pjesë e një ndryshimi të qëndrueshëm në strategjinë e sigurisë amerikane, që mund të ketë pasoja për praninë ushtarake të ShBA-së në rajon.