Kosovë Lajme

Skandal në media: Azemi zbulon prapaskenat,“Punova pa kontratë, u largova për dinjitet”!

Një deklaratë që po trondit skenën mediale në Kosovë! Moderatori i njohur Labinot Azemi ka shpërthyer publikisht, duke zbuluar për herë të parë prapaskenat e errëta të mediave ku ka punuar.

I ftuar në një intervistë televizive, Azemi foli pa dorëza për një realitet që, sipas tij, shumë gazetarë e përjetojnë, por pak guxojnë ta thonë: mungesën e kontratave, mosvlerësimin dhe presionin e vazhdueshëm profesional.

“Punova pa kontratë. Nuk pranova të vazhdoj kështu,” deklaroi ai, duke theksuar se largimi i tij nuk ishte rastësi, por një vendim i vetëdijshëm për të ruajtur dinjitetin.

Por kjo nuk është e gjitha.

Azemi e lidhi përvojën e tij me një fenomen më të gjerë bullizmin, që sipas tij nuk është zhdukur, por ka marrë forma të reja brenda mediave.

“Bullizmi sot nuk është gjithmonë i hapur. Ai ndodh në heshtje, përmes anashkalimit, presionit dhe padrejtësive,” u shpreh ai, duke ngritur alarmin për atë që e quan “luftë mediale e brendshme”.

Gazetari, i cili ka qenë pjesë e dy televizioneve në vend, vuri në pikëpyetje serioze standardet e punës në industrinë mediale, duke kërkuar më shumë respekt për profesionin dhe përgatitjen akademike të gazetarëve.

Deklaratat e tij kanë ndezur rrjetet sociale dhe pritet të hapin një debat të madh për kushtet reale të punës në media.

A është kjo vetëm historia e një gazetari apo një realitet i fshehur i gjithë industrisë?