Vendimi i Qeverisë Kurti në vitin 2021 për të mos proceduar më projektin e gazsjellësit, ka rezultuar me privim të Kosovës karshi nismave të fundit miliardëshe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon për të larguar ndikimin rus përmes investimeve në gazsjellës për LNG amerikan. Megjithatë pavarësisht kësaj, nga Uashingtoni zyrtar kanë thënë se Kosova mund të luaj rol të rëndësishëm në këtë synim të SHBA-së dhe se kompanitë amerikane vazhdojnë të mbesin të interesuara për të ndihmuar Kosovën për qasje në burime të energjisë, përfshirë qymyrin dhe gazin natyror.
Më 30 shtator 2021, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në një konferencë për media kishte konfirmuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos proceduar me projektin e gazsjellësit që përkrahej nga Qeveria amerikane. Në vend të kësaj, Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Albin Kurti kishte vendosur të marrë përkrahjen financiare nga Uashingtoni, konkretisht MCC, për ndërtimin e kapaciteteve për ruajtjen e energjisë elektrike.
Orientimi drejt projektit të baterive për ruajtjen e energjisë elektrike, ka bërë që Kosova ta kufizojë veten dhe të mbetet jashtë nismave të fundit të Shteteve të Bashkuara për ndërtimin e gazsjellësve në vende të rajonit, përmes projekteve miliardëshe.
Vetëm gjatë muajit prill, SHBA ka nënshkruar marrëveshje me Shqipërinë (ku është e përfshirë edhe Greqia), Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën.
Më 29 prill 2026, në Tiranë është nënshkruar një marrëveshje 6 miliardëshe me SHBA-në për furnizim me gaz të lëngshëm natyror, si pjesë e planit për diversifikim të burimeve të energjisë dhe forcimit të pavarësisë energjetike. Në kuadër të këtij projekti do të ketë ndërveprim edhe Greqia.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, e pranishme ishte edhe ambasadorja e SHBA-ve në Greqi, Kimberly Guilfoyle e cila në fjalën e saj tha se Shqipëria po luan një rol në rritje si një ndërlidhës në Ballkanin Perëndimor.
“Ka dy marrëveshje shumë të rëndësishme që po nënshkruhen sot, që është marrëveshja 6 miliardë dollarëshe për gazin e lëngshëm natyror, që tregon se Shqipëria po luan gjithmonë një rol në rritje si një ndërlidhës në Ballkanin Perëndimor. Në sektorin energjetik siguria dhe begatia, mirëqenia shkojnë krah për krah. Memorandumi i mirëkuptimit për studimin, zhvillimin, ndërtimin dhe vënien në veprimtari të një qendre thelbësore energjetike përfshirë një impiant gazi, dëshmojnë rëndësinë që qeveria shqiptare i kushton energjisë së qëndrueshme në të mirë të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh ndër të tjera ambasadorja Guilfoyle.
