Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar arritjen e një bashkëpunimi të rëndësishëm për fanellat e reja të Kombëtares së Kosovës, e cila nga cikli i ri i garave evropiane do të pajiset me fanella të brendit ndërkombëtar Adidas.
Ky zhvillim vjen në kuadër të Skemës së Asistencës për Veshje të UEFA, përmes së cilës federatat kombëtare përfitojnë pajisje sportive dhe uniforma cilësore për ndeshje dhe stërvitje.
Sipas FFK-së, veshjet e reja do të jenë të dizajnuara në mënyrë të personalizuar, duke reflektuar identitetin e Kombëtarës së Kosovës.
Për dy sezonet e ardhshme, dhjetë kombëtare evropiane, përfshirë edhe Kosovën, do të paraqiten me dizajne unike të Adidas, të zhvilluara në bashkëpunim të ngushtë me federatat përkatëse, me qëllim krijimin e identitetit të veçantë vizual për secilën përfaqësuese.
Gjithashtu, FFK do të ketë qasje në shërbimin ekskluziv “Locker Room” të Adidas, i cili mundëson dizajnimin dhe porositjen e veshjeve të personalizuara për ekipet.
Ky shërbim synon të rrisë standardet e performancës sportive dhe të sigurojë një prezantim sa më dinjitoz të përfaqësueses së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
