Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka prezantuar raportin e Komitetit të Odës së Avokatëve për të Drejtat e Njeriut në Angli dhe Uells, ndërlidhur me Gjykatën Speciale.
Raporti ka ngritur dilema të mëdha dhe serioze për mënyrën se si janë zhvilluar proceset në Gjykatën Speciale të Hagës.
Qelaj ka treguar detaje nga raporti, duke theksuar se vazhdimi i paraburgimi dhe refuzimi i mundësisë për lirim nga paraburgimi, janë elemente që kanë cenuar procesin.
“Raporti evidenton shqetësime serioze për kohëzgjatjen e paraburgimit, refuzimin e lirimit të parakohshëm, dhe kufizimet në komunikim me familjen. Fakti që deri më tash ka pasur shumë pak lirime të parakohshme, edhe pse kanë kaluar vite pa filluar procesi, bën të kuptohet që një pretendim i tillë nuk është vetëm shqetësim, por fakt konkret”, ka thënë Qelaj.
Problem tjetër, ka qenë edhe mbikëqyrja e komunikimeve në qendrën e paraburgimit.
“Mbikëqyrja sistematike e komunikimeve që jam ballafaquar edhe unë, jam vëzhgu nga personeli i paraburgimit, jam xhiru nga dy kamera, raporti konstaton se mbikëqyrja sistematike, kjo kornizë ka dyshime serioze për cenim të Konventnës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Shqetësimet që kemi ngritur në vazhdimësi, jo vetëm që janë konfirmuar, por kalojnë edhe përtej atyre shqetësimeve”, ka thënë më tutje Qelaj.
Ekspertët e njohur britanikë kanë konstatuar se raporti ka ngritur shqetësime serioze për një gjykim të drejtë dhe të pavarur.
“Lidhur me juridiksionin, transparencën, raporti ngre shqetësime serioze mungesën e një institucioni mbikëqyrës, dhe kontrolli institucional. Sa i përket standardit të Gjykatës kompetente të pavarur, për gjykim të drejtë, raporti evidenton shqetësime serioze në emërimin e trupave gjykues. Raporti konstaton se kryetarja ka diskrecion për të emëruar panelet, konsultimet ndërinstitucionale të parapara me rregullën 12. Kërkesën për përjashtimin e kryetares së Gjykatës e trajton vetë kryetarja, që tregon se ka probleme serioze”, ka thënë Qelaj më tutje.
Raporti ka evidentuar edhe deklaratat e prokurorit të Specializuar, Jack Smith, i cili kishte thënë se krerët e UÇK-së do të dënohen me burg të perjetshëm, ende pa filluar gjykimi.
“Raporti evidenton se deklaratat e prokurorit Jack Smith, përfshijnë, ku theksohet se krerët e UÇK-së do të dënohen me burg të përjetshëm, konstatimi që nëse lirohen këta persona janë rrezik dhe duhet të mbahen në paraburgim nga kryetarja e Gjykatës, përbëjnë probleme serioze për prezumimin e pafajësisë, integritetin e procesit, dhe transparencës”, tha Qelaj.
Ky raport, ka theksuar edhe pranimin e provave nga Serbia.
“Lidhur me pranimin e provave të pranuara nga Serbia, raporti evidenton pasiguri të qarta juridike. Vlerësimi përfundimtar i tyre, është burim potencial i pasigurisë. Për këto prova, raporti thekson mungesë transparence. Ato janë dhënë pa vendim publik. Parimin e barazisë së armëve, raporti evidenton kufizimet në vizita, mungesën e hapësirës adekuate për përgatitje, procedurat penale paralele, dhe ndryshimet e sistemit të ndihmës juridike. Këto elemente janë indicator serioz që kërkojnë analizë të mëtejme”, ka thënë Qelaj, raporton Nacionale.
“Autorët kërkojnë krijimin e një mekanizmi të pavarur për të monitoruar Gjykatën Speciale, një kërkesë e paraqitur edhe nga ne kohë më parë”, tha Qelaj.
