Kosovë Lajme Politikë

Pas pak seanca për Presidentin: Bedri Hamza vjen me një thirrje për qytetarët dhe Albin Kurtin

Kryetari i Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar ashpër ndaj përpjekjeve për zgjedhjen e Presidentit në mënyrë të njëanshme, duke e cilësuar këtë si shkelje flagrante të Kushtetutës dhe sulm ndaj shtetit të së drejtës.

Ai theksoi se PDK kundërshton çdo tendencë për shpërfillje të procedurave kushtetuese dhe paralajmëroi se veprime të tilla rrezikojnë të minojnë rendin demokratik dhe të destabilizojnë vendin.

Hamza shtoi se partia e tij do të mbrojë Kushtetutën, institucionet dhe vullnetin e qytetarëve, duke u bërë thirrje këtyre të fundit të jenë vigjilentë ndaj çdo shkeljeje që cenon të ardhmen e Kosovës.

Postimi i plotë:

Qytetarë të nderuar,

Sot jemi përballë një akti të rrezikshëm për të ardhmen e shtetit tonë. Përpjekja për zgjedhjen e Presidentit në mënyrë të njëanshme dhe me shkelje flagrante të Kushtetutës është sulm ndaj shtetit të së drejtës, që minon rendin tonë demokratik.

Partia Demokratike e Kosovës e kundërshton çdo tendencë politike për t’i shpërfillur procedurat kushtetuese. Ne nuk do të lejojmë që një subjekt politik ta shfrytëzojë pushtetin për të injoruar vullnetin e qytetarëve dhe për t’i dobësuar institucionet legjitime të vendit tonë.

Veprimet e tilla ua mohojnë qytetarëve të drejtën për të vendosur për të ardhmen e tyre dhe rrezikojnë ta çojnë vendin drejt një anarkie politike, e cila mund ta destabilizojë shtetin tonë të ri.

Kosova është ndërtuar mbi vlerat e lirisë, drejtësisë e barazisë dhe nuk do të lejojmë që këto vlera të cenohen përmes abuzimit me pushtetin apo shkeljes së Kushtetutës.

Partia Demokratike e Kosovës do të qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të Kushtetutës, institucioneve dhe shtetit të së drejtës. I bëjmë thirrje edhe qytetarëve që të jenë të vëmendshëm dhe të mos lejojnë shkelje që dëmtojnë të ardhmen e vendit.

Nuk mund të ecet përpara duke shkelur Kushtetutën dhe ligjet. Ne do ta mbrojmë shtetin dhe të ardhmen e tij!