Viktima Endri Goxhaj, njihej me pseudonimin “Supe”
Policia ka zbardhur rrethanat e vrasjes që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Memaliaj, ku u vra me armë zjarri Endri Goxhaj dhe mbeti i plagosur Dali Nela.
Blutë kanë arrestuar 47-vjeçarin Aldo Kalemi dhe 25-vjeçarin e plagosur Dali Nela, vëllai i dy personave të shpallur në kërkim.
Mbi ta rëndojnë veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
Po ashtu në pranga u vu edhe 41-vjeçari Ermal Mataij, banues në Memaliaj, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Në kërkim u shpallën dy vëllezërit e të plagosurit, autorë të ngjarjes, 29-vjeçari Donaldo Nela dhe 28-vjeçari Marioldo Nela, për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Nën hetim janë 44-vjeçari Julian Kalemi për veprën penale “Deklaratat e rreme përpara prokurorit”, si dhe për 49-vjeçari Gëzim Qëndraj, për veprën penale “Kanosja”.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se mbrëmë ka patur një konflikt fizik të çastit, në të cilin janë përfshirë Dali Nela, Donaldo Nela, Marioldo Nela (të tre vëllezër), Aldo Kalemi, Julian Kalemi, Gëzim Qëndraj dhe viktima Endri Goxhaj.

Gjatë konfliktit, dyshohet se viktima Endri Goxhaj ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të Dali Nela, i arrestuar tashmë, i cili mbeti i plagosur.
Më pas, 2 vëllezërit e 25-vjeçarit, të cilët mbeten në kërkim, dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të Endri Goxhajt, që humbi jetën rrugës për në spital.
Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale: armën e zjarrit pistoletë (me fishek në fole, gati për qitje), me të cilën dyshohet se viktima Endri Goxhaj, plagosi Dali Nelën 1 krehër me fishekë, municion luftarak, 2 automjete, 2 motomjete, 4 celularë dhe sende të tjera nga vendngjarja, të cilat do t’i shërbejnë vijimit të hetimit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme.
