Dy partitë më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), me të cilat kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi bisedime për çështjen e presidentit, thonë se tashmë kjo çështje është e mbyllur, s’ka marrëveshje me liderin e partisë fituese, Vetëvendosja, Albin Kurti.
Kurti u shpreh se nëse shkojmë në zgjedhje do t’i humbim miliona euro si shtet, sepse sipas tij edhe nëse shkojmë në zgjedhje, nuk do të gjejmë zgjidhje dhe do të duhet të shkojmë edhe disa herë në zgjedhje.
“Nëse shkojme në zgjedhje te reja do t’i humbim miliona euro si shtet dhe nuk do te kemi zgjidhje, meqenëse do të duhet të shkojmë edhe njëherë në zgjedhje të reja edhe njëherë tjetër më pas.”, u shpreh ai.
Kryeministri të hënën, pas dështimit të një ujdie me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se kreu i LDK-së ka refuzuar të gjitha ofertat që ia ka bërë, duke shpalosur kështu për herë të parë publikisht se çka i ka ofruar LDK-së.
“LDK’së ia kam bërë dy oferta, njërën për bashkëqeverisje, tjetrën për rrokadë në Kryesinë e Kuvendit. Porsa e përfundova takimin me Abdixhikun, të cilin e falënderoj. Mirëpo, më duhet të konstatoj se bisedimet i shin të pasuksesshme, për shkak se asnjëra nga ofertat nuk u pranua nga ai. Filimisht ne ofruam që LDK të jetë në bashkëqeverisje me ne, ta ketë zv/kryeministër, MPJ dhe tri ministri të tjera. Kam preferuar që zëvendës i imi të bëhet Abdixhiku dhe të fillojmë kapitull të ri të bashkëpunimi”, ishte shprehur Kurti pas takimit me Abdixhikun.
Derisa kreu i LDK’së pas këtij takimi u shpreh se Kurti insistoi që Vetëvendosja të ketë presidentit.
“Nuk ka pasur propozim tjetër nga Kurti, përveç që presidenti të jetë i Vetëvendosjes.”
Abdixhiku tha se “u dakorduam që nuk të takohemi me me Kurtin, s’ka më kuptim.”
Pas dështimit që të arrijë marrëveshje me LDK-në, Kurti tha se i ka dërguar mesazh edhe kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.
Tutje kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka prezantuar ofertën e fundit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për çështjen e presidentit.
Hamza ka treguar për kronologjinë e gjithë diskutimeve me Kurtin dhe qëndrimin që PDK ka mbajtur për çështjen e presidentit. Ai ka treguar se sot ka marrë mesazh nga Kurti në Whatsapp, ku i ka ofruar PDK-së postin e kryetarit të Kuvendit në këmbim të nënkryetarit që e mban aktualisht PDK.
Hamza bëri me dije se Kurti i ka bërë ofertë PDK-së për t’ia dhënë pozitën e kryetarit të Kuvendit, derisa ajo e nënkryetarit që e ka kjo parti t’i kalojë VV-së.
Ai e quajti këtë ofertë joserioze.
“Sepse kryesia e Kuvendit është konstituar, Kuvendi është i konstituar, janë zgjedhur janë të votuar. Nuk e kemi kontestuar këtë çështje, nuk jemi duke folur për kryetar të Kuvendit. Nuk kemi shkuar të lypim pozitë as për vetë as për ndonjërin nga anëtarët e Partisë Demokratike. Kemi shkuar që me i dhënë vendit institucione dhe stabilitet politik. Kjo nuk është fare serioze”, deklaroi Hamza para mediave.
Më datë 28 prill, përfundon afati i dhënë nga Gjykata Kushtetuese për ta zgjedhur presidentin e Kosovës dhe pas përfundimit të këtij afati, automatikisht shpërbëhet parlamenti dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të mbahen brenda 45 ditëve. Presidenti i Kosovës, në bazë të Kushtetutës, zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë të pranishëm në sallë që seanca të mund të mbahet. Lëvizja Vetëvendosje, me partnerët në qeverisje, pakicat jo serbe, ka vetëm 66 ulëse në kuvend, nga 120 vende sa i ka parlamenti i Kosovës. Pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit si presidente dhe dështimit të kuvendit që ta zgjedhë presidenten/in e ri, më 4 prill, sipas Kushtetutës, ushtruese e detyrës së presidentes u emërua kryetarja e kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila nuk mund ta ushtrojë këtë post më shumë se gjashtë muaj. Vetë Haxhiu, e cila vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, disa herë u ka bërë thirrje partive politike për arritjen e një konsensusi për zgjedhjen e presidentit, duke thënë se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme.
