Kosovë Lajme Politikë

Agim Bahtiri thirrje deputetëve: I kemi edhe 10 ditë afat për Presidentin- Kosova mbi të gjitha

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, duke komentuar çështjen e zgjedhjes së presidentit, u ka bërë thirrje deputetëve të tjerë që të ‘’bashkohen, të krijojnë stabiliteti dhe t’i japin popullit sigurinë që meriton’’.

Bahtiri, ka bërë thirrje që të lihen anash ndasitë para se ‘’të jetë vonë’’, dhe se, ‘’hteti nuk është lojë, por amanet i lënë me gjak’’.

Postimi i plotë:

BASHKIM DHE UNITET: KOSOVA ËSHTË MBI TË GJITHA!

Të nderuar kolegë dhe qytetarë,

Jemi në ditët kur nuk kemi nevojë për triumfe partiake, por për përgjegjësi kombëtare.

Derisa ne merremi me inate e teke politike, Serbia po armatoset çdo ditë. Planet dhe objektivat e tyre ogurzeza janë ëndrra shekullore që nuk shuhen, e ne nuk duhet t’ua japim mundësinë ta bëjnë realitet KURRË atë ëndërr.

Kur bota është në kaos dhe kërcënimet rriten në kufijtë tanë, ne nuk guxojmë ta lëmë shtetin tonë pa zot shtëpie. Një Kosovë e përçarë është dhurata më e mirë për armiqtë tanë, siç u pa edhe në seancen e djeshme, kur Lista Serbe erdhi në kuvend, jo për të ndihmuar në zgjedhjen e dy anëtarët e gjykatës kushtetuese, por për ta bllokuar këtë proces.

Shteti nuk është lojë, por amanet i lënë me gjak.

Kemi edhe 10 ditë afat për të përmbyllur procesin e zgjedhjes së Presidentit/es. I bëj thirrje çdo deputeti: Të bëhemi bashkë, të krijojmë stabilitet dhe t’i japim popullit sigurinë që meriton.

T’i lëmë anash ndasitë përpara se të jetë vonë. Historia na gjykon për atë që ndërtojmë, ose për atë që lejojmë të shkatërrohet.

Për Kosovën e fortë dhe të bashkuar!