Kosovë Lajme

Tragjedia në Malishevë: Varrosen tre anëtarët e familjes Berisha

Mes dhimbjes dhe pikëllimit të madh, sot janë përcjellë për në banesën e fundit tre anëtarët e familjes Berisha nga Gurbardhi, të cilët humbën jetën tragjikisht si pasojë e zjarrit që përfshiu banesën e tyre në qendrën e banimit kolektiv në Malishevë.

Nga kjo tragjedi e rëndë humbën jetën babai Ilir Berisha, dhe dy fëmijët e tij, Kujtim dhe Naile Berisha, duke lënë pas një dhimbje të madhe te familjarët, miqtë dhe gjithë Komunën e Malishevës.

Në ceremoninë mortore morën pjesë përfaqësues të strukturave komunale, stafi i shkollës “Ibrahim Mazreku”, ku Kujtimi dhe Nailja ishin nxënës, si dhe një numër i madh qytetarësh nga Malisheva dhe më gjerë, të cilët u bashkuan për të ndarë dhimbjen me familjen Berisha dhe për t’u dhënë lamtumirën e fundit.

Me këtë rast, Komuna e Malishevës ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta dhe më të thella për familjen Berisha, duke ndarë dhimbjen për këtë humbje tragjike.

Kjo tragjedi ka prekur thellë qytetarët e Malishevës, duke lënë pas një ndjenjë të thellë pikëllimi dhe solidariteti me familjen dhe të afërmit e viktimave.