Kosovë Lajme Politikë

Gjykata refuzon kërkesën për paraburgim ndaj 10 të dyshuarve për manipulim me vota në Mitrovicë, do të mbrohen në liri

Gjykata Themelore e Mitrovicës ka refuzuar kërkesat e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 10 të dyshuarve për falsifikim të rezultateve zgjedhore.

Gjykata ka vendosur që R.J., L.H., N.D., A.N., B.F., H.S., Sh.N., Y.S., D.K. dhe S.S.,të mbrohen në liri.

Seancat dëgjimore janë mbajtur sot.

Të pandehurit dyshohen se, secili veç e veç, kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, nga neni 216 paragrafi 2, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Gjykata ka vlerësuar se, në këtë fazë të procedurës penale, nuk janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”, theksohet në njoftim.

Ndryshe, 34 persona janë ndaluar për 48 orë nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë për shkak të dyshimeve se kanë manipuluar me rezultatin zgjedhor në dy komunat e Mitrovicës, në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Të dielën janë intervistuar 43 persona të përfshirë në numërimin e votave në pesë komuna.

Ditëve të kaluara janë ndaluar e paraburgosur edhe komisionerë e vëzhgues të qendrave të numërimit në Prizren, Malishevë e komuna të tjera.