Ambasasa e Kosovës në Bernë ka thënë se po i monitoron zhvillimet në Crans Montana, ku dhjetëra persona dyshohet se kanë vdekur dhe afër 100 të tjerë janë plagosur pasi një bar ku po festohej për Vitin e Ri në një resort luksoz të skijimit në Zvicër, u përfshi nga zjarri.
Ambasada ka thënë se është në gjendje gatishmërië t’ju ndihmojë qytetarëve të saj, teksa ka publikuar edhe disa numra kontakti, shkruan KFVA.
“Nëse keni nevojë për ndihmë, lajmërohuni në numrin emergjent të ambasadës +41 77 479 11 86. Numri emergjent zviceran për familjet e brengosura: +41 848 112 117”, thuhet në njoftimin, që është shpërndarë edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.
Zjarri shpërtheu në orën 01:30 të mëngjesit, sipas kohës lokale, në një bar të quajtur “Le Constellation” në resortin në jugperëndim të Zvicrës. Shkaku i zjarrit, që fillimisht u raportua si shpërthim, mbetet i paqartë, por autoritetet thanë se duket se është një incident dhe jo një sulm.
Policia zviceriane tha se “dhjetëra” persona dyshohet se kanë vdekur dhe afër 100 të tjerë janë plagosur, teksa Ministria e Jashtme italiane tha se informacionet nga policia e Zvicrës sugjerojnë se afër 40 persona kanë vdekur. Autoritetet zviceriane kanë refuzuar që të japin ndonjë shifër specifike.
