Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka njoftuar sot se Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike ka refuzuar aplikimin e tyre për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025.
Sipas IKD-së, vendimi i pranuar nga kjo zyrë është i paarsyetuar, jo transparent dhe bie ndesh me procedurat administrative që KQZ duhet t’i zbatojë. Instituti thekson se vendimi nuk përmban arsyetim ligjor, as udhëzime për përdorimin e mjeteve juridike për ta kundërshtuar atë, gjë që cenon parimin e ligjshmërisë dhe të drejtën për mbrojtje juridike.
IKD konsideron se ky vendim bie ndesh me rolin e organizatave të shoqërisë civile në mbikëqyrjen e proceseve zgjedhore dhe se pretendimi se IKD “nuk i plotëson kriteret” për akreditim është “i pabazuar, arbitrar dhe selektiv”. Sipas institutit, roli i tyre në promovimin e sundimit të ligjit, transparencës dhe llogaridhënies lidhet drejtpërdrejt me integritetin e proceseve zgjedhore.
“Është e papranueshme të thuhet se një organizatë që punon për sundimin e ligjit dhe integritetin institucional nuk ka lidhje me të drejtat e njeriut. Kjo përbën arsyetim joracional dhe të pabazuar”, thuhet në reagim.
IKD shton se vendimi i Zyrës së KQZ-së keqinterpreton Ligjin për Zgjedhjet dhe shkel standardet ndërkombëtare të OSBE/ODIHR dhe Këshillit të Evropës, duke krijuar dyshime për politizim dhe ndërhyrje në procesin zgjedhor. Po ashtu, Instituti vë në dukje se Zyra për Regjistrim nuk ka kompetencë për të refuzuar një aplikim të OJQ-ve, pasi sipas Rregullores Zgjedhore Nr. 08/2024, vetëm KQZ ka të drejtë të miratojë ose refuzojë kërkesat.
IKD njofton se do t’i përdorë të gjitha mekanizmat administrativë dhe ligjorë për ta kundërshtuar këtë vendim, duke mbrojtur jo vetëm të drejtën e tij për të vëzhguar procesin zgjedhor, por edhe rolin e organizatave të shoqërisë civile në mbrojtjen e demokracisë dhe integritetit të zgjedhjeve.
Në fund, IKD i bën thirrje KQZ-së që të rishqyrtojë praktikat e saj të brendshme dhe të rris profesionalizmin, në mënyrë që vendime të tilla të pa bazuara në ligj të mos përsëriten.
