Ministria e Infrastrukturës, në krye me Hysen Durmishin, ka nënshkruar kontratat për tenderin në vlerë gati 8 milionë euro për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve nacionale dhe rajonale të vendit.
Në total janë nënshkruar 12 kontrata, ku në mesin kompanive të shpërblyera është edhe “Bageri” pronar i së cilës tash është Leutrim Shabani, djali i dostit të Durmishit, Bujarit.
MI ka lidhur me të kontratë për mirëmbajtjen e rrugëve nacinale dhe rajonale në zonën Prishtina 3. Vlera totale e kontratës është 559 mijë e 664 euro.
Përveç kontratës për mirëmbajtje të rrugëve, “Bageri” ka nënshkruar edhe kontratë tjetër, me procedurë të negociuar me MI’në, në vlerë prej 419 mijë e 811 euro. Kontrata është dhënë për zgjerimin e rrugës nacionale Prishtinë-Podujevë, saktësisht punët shtesë që kanë dalë në Lot 4. Në këtë tender, “Bageri SH.P.K” ka ofertuar bashkë me “R&RUKOLLI”.
Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, pronar i kësaj kompanie që është regjistruar në janar të këtij viti, figuron Leutrim Shabani. Ai është djali i biznesmenit, Bujar Shabani, që është dost i Durmishit.
Shoqërinë me të e kishte konfirmuar vetë Durmishi, e madje edhe se kishte punuar në kompaninë e tij.
“Unë Bujar Shabanin e njoh që nga viti 2001. E kam shok…Ka pas një periudhë kur unë s’kam punu masi që kam dalë prej Komunës të Prishtinës, ku i kam ndihmun në kuptimin më shumë të organizimit”, kishte deklaruar Durmishi.
Bujar Shabani para një viti është dënuar për mashtrim në prokurim publik. Pikërisht ditën që ai e ka shuar si biznes idividual kompaninë “N.P.SH.”Bageri” më 15 janar 2025, është regjistuar biznesi i ri “Bageri SH.P.K.”, si shoqëri aksionare me 100% të kapitalit të regjistuar në emër të Leutrim Shabanit.
Për mirëmbajtje të rrugëve në Prishtina 1, tenderi i është dhënë grupit të operatorëve ekonomikë “TALI SH.P.K; Company Zuka Comerce Sh.p.k; XHAST SHPK”, me vlerë 701 mijë e 041 euro.
Për Prishtina 2, rrugët do t’i mirëmbajë grupi i kompanive “ILEAA- GR SH.P.K; VARNA SH.P.K”. Vlera e kontratës është 556 mijë e 287.
Kontrata tjetër është në vlerë 599 mijë e 996 euro dhe i është dhënë “ Arbotec SH.P.K; LIMITPROJECT SH.P.K”, për mirëmbajtjen e rrugëve për Mitrovica 1.
“Granit SH.P.K” është shpërblyer me kontrayë në vlerë 658 mijë e 986 euro për mirëmbajtjen e rrugëve për Peja 2.
“Sallahu SH.P.K” ka marrë kontratë për rrugët në Prizreni 2, me vlerë 680 mijë e 202 euro.
Për mirëmbajtjen e rrugëve për Gjilani 1, kontrata në vlerë 644 mijë e 152 euro i është dhënë “EL-BAU SH.P.K.; AVAG GROUP SH.P.K.; EING COM SH.P.K.”
Për Gjilani 2, kontrata është nënshkruar me “Dio Bes SH.P.K.; EUROKOS HOLDING SH.P.K”, në vlerë 754 mijë e 213 euro.
Mirëmbajta e rrugëve në Ferizaj 1, i është besuar “VIA; EUROTITAN SH.P.K”. Vlera e kontratës është 778 mijë e 655 euro.
Për Ferizaj 2, tenderin e ka fituar “Damastion Project”, me vlerë 724 mijë e 359 euro.
“Lika Trade Sh.p.k.; Lika Company SH.P.K” do të kujdeset për mirëmbajtjen e rrugëve në Gjakova 1, me çmim 635 mijë e 840 euro, ndërsa për Gjakova 2, me tender është shpërblyer “RSM COMPANY SH.P.K” ,me vlerë 542 mijë e 360 euro.
Kontratat janë nëshkruar më 26 nëntor, teksa njoftimi është publikuar sot në e-Prokurimi.
