Të reshurat po pritet të pushojnë orëve të hershme të mëngjesit të ditës së martë, e paradite mbesin më shumë vransira. Pas mesdite vransirat gradualisht fillojnë të shpërndahen, për të lejuar të depërtojnë më shumë rreze dielli.
Temperaturat minimale zbresin në 7C e 10C, e maksimalet do të jenë paksa më të ulëta, prej 11C e 14C. Era frynë e lehtë dhe mesatare nga veriu e verilindja, 4-10m/s.
Nga dita e mërkurë, po parashihet të kemi një periudhë më stabile në vend, të dominuar kryesisht nga kthjellime dhe intervale të gjata me diell. Të mërkurën kalojnë vransira herë pas here, shtresore të larta. Orëve të mëngjesit ultësirave paraqiten kushte edhe për mjegull, derisa temperaturat minimale mund të zbresin krejt në 0C, mëngjesin e së premtës.
Maksimalet shkojnë deri në 12C e 15C, e të shtunën deri në 16C. Dominojnë qetësitë, e orëve të pasdites frynë erë e lehtë drejtimesh të ndryshme 1-4m/s, njofton Mendimi për Motin.
