Kosovë Lajme

Kushtetuesja: Konstituimi i Kuvendit duhet të përmbyllet brenda 30 ditëve

 

 

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kryetarin e ri të Kuvendit përmes votimit të hapur, dhe brenda 30 ditëve. 

Kushtetuesja ka përcaktuar që kandidati i njëjtë mund të votohet vetëm deri në tri herë. Gjykata Kushtetuese po ashtu ka urdhëruar deputetët që të jenë të pranishëm në seancën konstituive dhe të marrin pjesë në votim, shkruan gazeta KFVA.

“TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafët 2, 3 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës të zgjedhin Kryetarin/en dhe nënkryetarët e Kuvendit të Republikës së Kosovës sipas pikave 3 dhe 4 të rendit të ditës të Seancës Konstituive brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi”, thuhet në njoftim.

Sipas Kushtetueses, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk ka vepruar në bazë të aktgjykimit të mëhershëm të kësaj gjykate të 26 qershorit. Kushtetuesja e ka publikuar vetëm njoftimin rreth aktgjykimit, teksa Aktgjykimin ka paralajmëruar se do ta publikojë së shpejti dhe se deri atëherë vazhdon masa e përkohshme për seancë.

Kosova ndodhet në një krizë të thellë institucionale pas dështimit për të formuar institucionet e reja, më shumë se pesë muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025. Deri tani, janë bërë 54 përpjekje për ta konstituar Kuvendin që nga seanca e parë më 15 prill, por pa sukses.

Lëvizja Vetëvendosje, megjithëse partia fituese me 48 ulëse, nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme prej 61 votash për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit. Partitë e tjera parlamentare kanë refuzuar të votojnë kandidaten e saj, Albulena Haxhiun.

Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar një ditë më parë se partia e tij do ta respektojë vendimin e ri të Kushtetueses, pavarësisht përmbajtjes së tij.

“Do të na njoftojnë për atë që kanë menduar të ndodhë pas 30 ditëve. Nuk e di cila do të jetë zgjidhja, por ne kemi thënë se do ta respektojmë aktgjykimin. Është dëmtim i madh që Kosova nuk ka Kuvend,” ka thënë Kurti.