Kurti, Krasniqi, Abdixhiku e Haradinaj nesër përballë në tryezën e Presidentes

 

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i presë nesër në ora 15:00 liderët e partive politike në një takim konsultativ, me synimin për të gjetur një zgjidhje për krizën institucionale që ka përfshirë vendin pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Në takimin e ftuar nga Osmani pritet të marrin pjesë Albin Kurti (LVV), Memli Krasniqi (PDK), Lumir Abdixhiku (LDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK), shkruan gazeta KFVA.

Po ashtu, Presidentja do të zhvillojë një takim të ndarë me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë.

Nga Presidenca e kanë konfirmuar se të gjithë liderët kanë pranuar ftesën dhe do të marrin pjesë në takim.

Ndërkohë pak orë para takimit të thirrur nga Presidentja, në ora 10:00 – Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë seancën e nisur më 15 prill, në përpjekjen e 16-të për t’u konstituuar.

Një ditë para se t’i takojë drejtuesit e partive, Presidentja Osmani theksoi se vonesat në konstituimin e Kuvendit po i shkaktojnë vendit pasoja serioze, si në aspektin e brendshëm ashtu edhe atë ndërkombëtar.

“Mungesa e parlamentit nënkupton pamundësi për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, nga të cilat përfitojnë drejtpërdrejt qytetarët. Po ashtu, dëmtohet imazhi i institucioneve, besueshmëria te qytetarët dhe reputacioni ynë jashtë vendit,” tha Osmani sot pas takimit me presidentin e  Këshillit të BE-së, Antonio Costa.

Ajo theksoi se ky takim është vetëm fillimi i një serie diskutimesh që mund të vazhdojnë në formate të ndryshme – kolektive apo individuale – me qëllim që të gjendet një rrugëdalje nga bllokada.

“Moskonstituimi i Kuvendit paraqet rrezik serioz për funksionimin kushtetues të institucioneve. Shpresoj që të gjithë liderët të angazhohen duke vënë në plan të parë interesin e vendit,” theksoi Presidentja.

  • Shkrime të ngjashme

    Ky është burri i cili vdiq në aksidentin që ndodhi sonte në rrugën Komoran–Carralevë

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sonte rreth orës 19:30 në rrugën Komoran–Carralevë, ku si pasojë një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë lënduar. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti, teksa shtoi se në…

    Ekstradohet nga Anglia në Kosovë i kërkuari për vrasje në tentativë

    Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë,  me datë 15.01.2026  ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Anglia për në Kosovë. Sipas njoftimit të Policisë, i…