“Seanca e pafund” vazhdon sot, opozita e palëkundur, Vetëvendosje insiston me Haxhiun për kryekuvendare

 

 

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në orën 10:00, për të dhjetën herë radhazi në përpjekje për konstituimin e legjislaturës së nëntë.

Seanca e nisur më 15 prill ka pësuar ndërprerje të vazhdueshme për shkak të mospajtimeve politike.

Pozicionet e partive politike mbesin të pandryshuara një ditë para vazhdimit të seancës.

PDK, partia e dytë e dalë nga zgjedhjet dhe LDK, akuzojnë Vetëvendosjen për shkelje të rregullave e procedurave në mungesë numrash.

Në asnjërën nga përpjekjet e përsëritura, e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk mori më shumë se 57 vota nga së paku 61 vota sa kërkohen.

Seanca konstituive e Kuvendit, e nisur më 15 prill, nuk është mbyllur as të enjten.

Ndryshe prej seancave paraprake, gjatë saj LVV-ja nuk e ka propozuar direkt Haxhiun për kryeparlamentare, por nëpërmjet kryesuesit të seancës ka kërkuar që votimi për të të bëhet në mënyrë të fshehtë.

Partitë e tjera nuk e kanë pranuar këtë opsion, duke bërë që të mos i marrë votat e mjaftueshme Komisioni për mbikëqyrje të kësaj procedure.

E pas përmbylljes së seancës të së enjtes, propozimi i LVV-së për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votim të fshehtë është vlerësuar antikushtetues nga përfaqësues të partive që në legjislaturën e shkuar kanë qenë në opozitë. Ata, gjatë adresimeve nga holli i Kuvendit, e kanë quajtur arbitrare mënyrën se si kjo parti ka synuar që ta vërë në aplikim këtë formë votimi.

Zhbllokimit të situatës nuk i ka shërbyer as takimi konsultativ, i cili është mbajtur para seancës mes liderit të LVV-së, Kurti, dhe atij të PDK-së, Memli Krasniqi.
Në Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) nuk kanë dhënë sinjale se do ta ndryshojnë emrin e kandidatit, përderisa në vazhdimin e nëntë të seancës të mërkurës, kjo parti ka propozuar ndryshimin e mënyrës së votimit – nga i hapur në të mbyllur.

Por ky propozim është kundërshtuar nga partitë që në legjislaturën e fundit kanë qenë në opozitë.

Takimet konsultative, përfshirë atë mes liderit të VV-së, Albin Kurti, dhe kreut të PDK-së, Memli Krasniqi, nuk kanë sjellë rezultate konkrete. Deri më tani, VV nuk ka dhënë shenja për ndryshim kandidati, ndërsa ngërçi për konstituimin e Kuvendit mbetet i pazgjidhur.

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…