Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka dalë me reagim pas zhvillimeve në seancën e sotme, ku pati përpjekje për ta ndryshuar votimin për zgjedhjen e kryeparlamentarit në të fshehtë, duke thënë se ky është vendim arbitrat që cënon integritetin e Kuvendit, shkruan KFVA
Sipas KDI, ndryshimi i votimit në mes të seancës përbën shkelje të parimeve procedurale dhe një precedent të rrezikshëm për funksionimin e Kuvendit.
“Ky veprim jo vetëm që bie ndesh me standardet e një legjislature demokratike, por minon edhe besimin publik në rregullsinë dhe integritetin e proceseve parlamentare. Çdo përpjekje për të ndryshuar rregullat gjatë lojës – veçanërisht kur vjen në funksion të kalkulimeve të brendshme politike – dëmton rëndë autoritetin e Kuvendit”, thuhet në reagim.
Postimi i plotë:
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), si organizatë e shoqërisë civile që monitoron nga afër punën e Kuvendit dhe promovon transparencën, llogaridhënien dhe standardet demokratike në vendimmarrje, shpreh shqetësim të thellë lidhur me mënyrën e zhvillimit të votimit gjatë vazhdimit të sotëm të seancës konstituive.
Ndryshimi i mënyrës së votimit në mes të seancës, në mënyrë arbitrare nga kryesuesi dhe pa bazë në Rregulloren e Punës së Kuvendit, përbën shkelje të parimeve procedurale dhe një precedent të rrezikshëm për funksionimin e Kuvendit. Ky veprim jo vetëm që bie ndesh me standardet e një legjislature demokratike, por minon edhe besimin publik në rregullsinë dhe integritetin e proceseve parlamentare.
Çdo përpjekje për të ndryshuar rregullat gjatë lojës – veçanërisht kur vjen në funksion të kalkulimeve të brendshme politike – dëmton rëndë autoritetin e Kuvendit.
KDI fton kryesuesin e seancës, z. Dehari, dhe të gjithë deputetët, e në veçanti grupin parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, që të respektojnë standardet procedurale të përcaktuara në Rregullore dhe të veprojnë në përputhje me normat e përgjegjësisë institucionale dhe politike që i kërkon funksioni përfaqësues.