Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka dalë me komunikatë rreth zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën më 9 shkurt 2025.
Në njoftim, PZAP ka publikuar statistikat, ku thuhet se gjithsej kanë pranuar 642 ankesa nga palët.
“PZAP-i, për të gjitha ankesat e pranuara, ka arritur ti shqyrtoj dhe të vendosë brenda afateve të përcaktuar në Ligjin Nr.08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, sipas kësaj mënyre të vendimmarrjes;
-Aprovim – 249 vendime,
-Refuzim – 242 vendime,
-Të palejuara – 73 vendime,
-Të tërhequra – 4 vendime,
-Të pas afatshme – 53 vendime,
-Të dorëzuara në Komisionin e Pavarur për Media – 17 ankesa,
-Të dorëzuara në Këshillin e Mediave të Shkruara – 2 ankesa,
-Pjesërisht të pranuara – 2 vendime”.
Po ashtu, PZAP ka bërë me dije se ka gjobitur partitë politike me mbi 600 mijë euro, prej të cilave tani janë paguar vetëm rreth 100 mijë euro.
“Në kuadër të vendimeve të nxjerra, PZAP-i për Subjektet Politike që kishin shkelur Kodin e Mirësjelljes për Subjektet Pulitke, Mbështetësit e Tyre dhe Kandidatet, ka shqiptuar gjoba në vlerë prej 644,100.00 euro, prej të cilave deri me tani janë paguar vetëm 101,000.00 euro.
Ndaj vendimeve të PZAP-it, janë paraqitur 47 ankesa në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës, ndër to; në 34 raste vërtetohen vendimet e PZAP-ës, ndryshohen pjesërisht 7 vendime, ndërsa 6 vendime të PZAP-ës ndryshohen nga Gjykata Supreme.
Me certifikimin e rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për Zgjedhjet e Përgjithshme për Kuvend të Republikës së Kosovës, të mbajtura më datë 09.02.2025, ku konsiderohet edhe përmbyllja e procesit zgjedhor, PZAP-ja falënderon të gjithë akteret zgjedhor, qe në një mënyra ose tjetër kanë qenë të përfshirë në proces, parashtruesit e ankesave, mediat për komunikimin e vazhdueshëm dhe pasqyrimin e drejt për punën e zhvilluar në PZAP, shoqërinë civile, publikun e gjerë, dhe përfaqësuesit e misionit vëzhgues të Bashkimit Evropian, të cilët për një kohë të caktuar kanë ndjekur nga afër punën e PZAP-it, dhe se kanë paraqitur në mënyrë objektive në raportin e tyre, profesionalizimin e vendimmarrjes së anëtareve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa” – thuhet në njoftim.