• 26 Nëntor 2025 21:19

Pse Sllovakia vendosi të luajë ndaj Kosovës në Bratislavë?

Nën 26, 2025

Federata e Futbollit e Sllovakisë ka vendosur që gjysmëfinalen e plejofit për kualifikim në Botërorin 2026 kundër Kosovës ta luaj në Bratisllavë.

Opsione të tjera ishin stadiumi i qytetit në Trnava dhe ai në Koshice.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Sllovakisë, Peter Palençik, tha se disa rrethana janë marrë për bazë kur vendosën që ndeshjen kundër Kosovës ta organizojnë në Bratislavë.

“Ne e shfrytëzuam kohën që kishim në dispozicion pas shortit të ndeshjeve të plejofit. U morën në konsideratë stadiumet e Bratislavës, Trnavës dhe Koshicës. Morëm në konsideratë të gjitha rrethanat, kushtet, mundësitë dhe kompleksitetet e përgatitjes së një ndeshjeje të tillë. Logjistika për mbërritjen dhe qëndrimin e të dy ekipeve, kapaciteti i stadiumit, mundësia e ndërhyrjes operative në rast të ndonjë ngjarjeje të paparashikuar patën ndikim të rëndësishëm. Në fund, vendosëm ta luanim ndeshjen me Kosovën në Bratislavë dhe ia përcollëm këtë informacion edhe UEFA-s”, tha Palençik për “futbalsfz.sk”.

Kapaciteti i stadiumit ku do të zhvillohet ndeshja Sllovaki – Kosovë është 22 mijë e 500 ulëse. Ndeshja zhvillohet më 26 mars nga ora 20:45. Stadiumi ku do të zhvillohet ndeshja u lëshua për shfrytëzim pas rinovimit në vitin 2013. Tribunat e stadiumit janë në tërësi të mbuluara.