Donald Trump e ka paralajmëruar Nicolas Maduron se ai mund të “bëjë gjërat në mënyrën e lehtë… ose në mënyrën e vështirë”, ndërsa udhëheqësi autoritar i Venezuelës iu përgjigj fushatës në rritje të presionit të SHBA-së duke i nxitur ndjekësit të përgatiten për të mbrojtur “çdo centimetër” të vendit të Amerikës së Jugut.
I veshur me uniforma kamuflazhi pyjore, Maduro tha në një tubim në kryeqytetin Karakas se ishte “detyra e tyre historike të luftonin agresorët e huaj, ashtu siç bëri heroi i çlirimit të Venezuelës, Simón Bolívar, dy shekuj më parë”.
“Ne duhet të jemi të aftë të mbrojmë çdo centimetër të kësaj toke të bekuar nga çdo lloj kërcënimi apo agresioni imperialist, kudo që të vijë”, deklaroi Maduro në fjalimin e tij të së martës drejtuar “popullit revolucionar të Karakasit”, shkruan The Guardian, përcjell KFVA.
“Betohem para Zotit tonë Jezu Krisht se do të jap gjithçka për fitoren e Venezuelës”, ka thënë më tej Maduro, duke u zotuar të mbrojë qiellin, malet dhe fushat e vendit të tij.
Në anën tjetër, duke folur në Air Force One ndërsa fluturonte për në Florida, Trump nuk pranoi të shpjegonte qëllimin e saktë të fushatës së tij katërmujore kundër Venezuelës, megjithëse shumë dyshojnë se ajo është projektuar për të rrëzuar Maduron, i cili besohet gjerësisht se ka vjedhur zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.
Zyrtarisht, vendosja e madhe ushtarake amerikane në Detin e Karaibeve është pjesë e një goditjeje ndaj trafikantëve të drogës nga Amerika Latine që “mbytin” SHBA-në me drogë.
Uashingtoni e ka akuzuar Maduron se drejton një “kartel”, i cili këtë javë u caktua si një organizatë e huaj terroriste – megjithëse shumë ekspertë thonë se grupi nuk ekziston në të vërtetë.
“Nuk do t’ju tregoj se cili është qëllimi. Ndoshta duhet ta dini se cili është qëllimi”, tha Trump, duke lënë të kuptohet se “mund” të flasë me Maduron.
“Nëse mund të shpëtojmë jetë, nëse mund t’i bëjmë gjërat në mënyrën e lehtë, kjo është në rregull. Dhe nëse duhet ta bëjmë në mënyrën e vështirë, kjo është gjithashtu në rregull”, u tha presidenti amerikan gazetarëve.
