• 26 Nëntor 2025 17:45

Arrestohet në Kosovë i kërkuari nga Interpoli për shfrytëzim të të miturve

Nën 26, 2025

Policia e Kosovës ka konfirmuar arrestimin e Mustafa Ulu, me shtetësi turke, ndaj të cilit ishte lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar nga Interpoli.

Ulu dyshohej për përfshirje në vepra penale që lidhen me shfrytëzim të të miturve dhe privim të paligjshëm të lirisë.

Sipas njoftimit zyrtar, operacioni u realizua nga njësiti i specializuar FAST, në kuadër të Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim me njësi të tjera të Policisë.

Postimi i plotë:

Policia e Kosovës, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, përkatësisht njësiti i specializuar FAST, ka realizuar me sukses arrestimin e një personi të kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar.

Sot, më 26.11.2025, rreth orës 13:30, zyrtarët policorë të kësaj drejtorie, në koordinim me njësitë tjera relevante të Policisë së Kosovës, kanë ndaluar një person me shtetësi të huaj, i cili ishte i kërkuar nga INTERPOL-i me urdhër arrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e një shteti tjetër, për dyshime lidhur me kryerjen e veprave penale që lidhen me shfrytëzim të miturve dhe privim të paligjshëm të lirisë.

Personi i arrestuar është shoqëruar për procedura të mëtejme, ndërsa me vendim të prokurorit kujdestar i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë, për të vijuar pastaj me hapat e tjerë ligjorë sipas praktikave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare për bashkëpunim policor.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave ligjore dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në funksion të sigurisë së përgjithshme dhe luftimit të krimit pa kufij.