• Fri. Nov 21st, 2025

SHBA afër marrëveshjes me Zvicrën për uljen e tarifave

Nov 11, 2025

Shtetet e Bashkuara dhe Zvicra janë pranë finalizimit të një marrëveshjeje tregtare që synon uljen e tarifave doganore prej 39%, të vendosura nga presidenti Donald Trump në gusht të këtij viti, sipas agjencisë Associated Press.

Presidenti Trump konfirmoi se “po punohet për një marrëveshje që t’i ulë pak tarifat”, duke shtuar se nuk ka përcaktuar ende një përqindje të saktë, por se “duam ta ndihmojmë Zvicrën”. Ai e përshkroi Zvicrën si “një aleat shumë të mirë”.

Sipas burimeve mediatike, tarifat ndaj eksporteve zvicerane mund të ulen në rreth 15%, duke u barazuar me normën që aktualisht aplikohet për vendet e Bashkimit Europian. Marrëveshja pritet të finalizohet brenda disa javësh.

Një zëdhënës i Ministrisë së Ekonomisë zvicerane nuk dha komente mbi bisedimet, por konfirmoi se ministri Guy Parmelin është “në kontakt të rregullt me autoritetet përkatëse në SHBA, përfshirë përfaqësuesin tregtar amerikan Jamieson Greer”.

Tarifat e larta kanë shkaktuar shqetësim të madh në Zvicër, veçanërisht për sektorët kryesorë të eksportit si:orët dhe bizhuteritë, makineritë dhe elektronika dhe çokollata dhe produktet farmaceutike

Pas lajmit për mundësinë e uljes së tarifave, aksionet e kompanive zvicerane Swatch Group dhe Richemont u rritën ndjeshëm në hapje të tregut. CEO i kompanisë së njohur “Breitling” e ka cilësuar tarifën si: “Të tmerrshme për Zvicrën.”

Tarifa prej 39% është një nga më të lartat që administrata Trump ka vendosur këtë vit, si pjesë e një fushate më të gjerë ndaj vendeve që ai i akuzon për “pabarazi tregtare” me SHBA-në.