Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas gjetjes të disa armëve dhe pajisjeve të tjera në një bodrum në sheshin “Car Lazar” në Mitrovicë të veriut.
Me anë të një postimi në Facebook, Sveçla se asnjë pjesë e territorit nuk është më strehë as për kriminelë as për armatim.
“Asnjë pjesë e territorit të Republikës sonë nuk është më strehë as për kriminelë e as për armatim apo elemente të tjera që cënojnë sigurinë e vendit tonë. Në qendër të Mitrovicës së Veriut, në bodrumin e një ndërtese kolektive sot janë gjetur dy armë, municion i llojeve të ndryshme, karikatorë, gazmaskë e pranga. Mbetemi të përkushtuar ndaj rendit dhe ligjit, sigurisë dhe stabilitetit për qytetarët tanë dhe për Republikën tonë”, ka shkruar Sveçla.
Policia në Mitrovicë të Veriut, në bashkëpunim me zyrtarë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, këtë të shtunë kanë zhvilluar aksion në afërsi të sheshit “Car Lazar”.
Policia përmes një komunikate ka bërë të ditur se ishte njoftuar se në një podrum të një ndërtese mund të gjendeshin gjëra të kundërligjshme.
Njësitë policore gjatë kontrollit kanë gjetur dhe konfiskuar: 1 pushkë automatike, 1 pushkë gjahu, 50 fishekë, 1 kondak pushke, 1 palë pranga, 1 mbajtës pushke, 1 maskë kundër helmeve me çantën e saj, 1 këllëf arme dhe 5 karikatorë të zbrazët.
Policia ka bërë të ditur se nga ky operacion nuk ka të arrestuar, derisa shtoi se hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.
