Në gjykimin e Endrit Nikës, i akuzuar se ka hedhur nga kati i 6-të i një hoteli në Fushë-Kosovë të dashurën e tij argjentinase, në seancën e së hënës, më 02.06.2025, ka dëshmuar Ismajl Nika, babai i të akuzuarit.
Endrit Nika nga Prokuroria akuzohet se pas një mosmarrëveshjeje paraprake me të dashurën e tij, me dashje që ta privojë nga jeta tani të ndjerën M.K.U., e kishte nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë, me ç’rast viktima kishte pësuar lëndime të rënda trupore dhe, përkundër trajtimit mjekësor, ajo kishte ndërruar jetë në QKUK.
Dëshmitari Nika tha se herën e fundit kur e ka parë tashmë të ndjerën kishte qenë në ahengun familjar në shtëpinë e tij.
“Herën e fundit – në natën e dasmës më 31 korrik 2023, kemi pasë natën e dasmës, kemi pasë të ftuar diku 300-350 mysafirë në shtëpi. I kishin pasë pëlqy jashtë mase traditat tona” – tha dëshmitari Nika.
Dëshmitari Nika tha se për rastin tragjik kishte marrë vesh nga një familjar i tij të nesërmen, ndërsa tha se natën kur i kishte parë tani të ndjerën dhe djalin e tij në ahengun në shtëpi nuk kishte parë diçka të pazakontë.
Dëshmitari Nika tha se për rastin kishte mësuar fillimisht nga një familjar i tij, mirëpo i njëjti nuk i kishte treguar si kishte ndodhur rasti mirëpo i kishte thënë se djali i tij (i akuzuari) dhe e ndjera kishin bërë aksident, ndërsa kur kishte shkuar në Polici e kishte mësuar tërë rastin.
“Kur shkova, kur jemi hi në kerr dhe jemi shku në Polici, në Krime të Rënda, thash: “Çka u bo Arton?”. Më tha: “Banu i fortë se Endriti me C. ka pasë fjalosje dhe e ka kapë prej ballkoni e ka gjuajtë në tokë”. Beso mendtë janë kanë tuj m’lanë”-shtoi më tej dëshmitari.
Dëshmitari Nika tha se pas ngjarjes kishte biseduar me djalin e tij (të akuzuarin), dhe tregoi se çka i kishte thënë tani i akuzuari pas ngjarjes tragjike.
“Na ka shpjegu se në dhomë i kanë pasë disa mosmarrëveshje para se me hi në hotel dhe kur jane hi në dhomë mas një kohe dhe më ka thanë: “Flejtë jam kanë, ma ka gjujtë do ujë: Çu tregom kush ke qajo vajzë që kërceve me të në dasëm”. Qysh jam kanë ratë, jam kthy në bark, i kam thanë: “Lem rahat C., se nesër kemi dasëm ke me i pa tana. Janë familjare mos u frikëso”. Unë jam kanë tha përgjumshëm tha pak më ka grrithë, i thash: “Rri, unë po shkoj në Gllanasellë, ti pra rri nesër vij të marr”. Jam nisë në drejtim të derës veç kur e kam ni një zhurmë, kur u ktheva kam vrapu te dritarja e pash si gropë aty më ka hupë vetëdija, kam bërtitë: “C., C.,”. Beso, më tha, as me dorë nuk e kam prekë” -tha dëshmitari Nika.
“Kur e ka pa C.-në në tokë u mundu në ato mundësi të veta me i ndihmu. Për atë thot i ka thanë: “Thuju mamit e babit ju dua shumë!””-tha dëshmitari atë se çka i kishte thënë i akuzuari atij.
Dëshmitari Nika tha se djali i tij dhe tani e ndjera kanë pasur raporte shumë të mira mes vete, dhe se tani i akuzuari i kishte thënë atij se edhe do t’i propozojë edhe martesë.
Tutje, dëshmitari tha se nuk kishte vërejtur diçka të pazakontë në lidhjen e tyre.
Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Betim Shala, e pyeti dëshmitarin nëse ka njohuri se a ka qenë djali i tij përdorues i lëndëve narkotike.
Lidhur me këtë pyetje, dëshmitari tha se i akuzuari i kishte thënë se një herë i kishte provuar lëndët narkotike, mirëpo pas kësaj i akuzuari i kishte premtuar se nuk do ta provojë më.
“Jemi kanë njëherë në kerr, u kanë në pushim në Spanjë, ka thanë: ‘Një herë babi e kam provu” po tu keshë. I thash: ‘Qysh nuk të vjen marre”… Ma ka dhanë fjalën dhe ashtu ka vepru” – tha dëshmitari Nika.
Seanca e radhës për këtë çështje penale u caktua për në muajin korrik 2025.
Aktakuza në këtë rast po përfaqësohet nga prokurori Armend Hamiti.
Kjo çështje është duke u trajtuar në Departamentin e Krimeve të Rënda nga trupi gjykues i përbërë nga Gazmend Bahtiri (kryetar i trupit gjykues) dhe dy anëtarët, Medie Bytyqi dhe Alltëne Murseli.
Sipas aktakuzës së datës 11.02.2025, i pandehuri Endrit Nika po akuzohet se më 01.08.2023 në Fushë-Kosovë, në hotel “Sonoma”, pas një mosmarrëveshje paraprake me të dashurën e tij, tani të ndjerën M. K.U., paraprakisht e godet në vazhdimësi dhe tenton ta shkelë me veturë te parkingu jashtë hotelit, dhe pasi që hynë ne hotelin – dhomën ku ishin duke qëndruar, i pandehuri Endrit Nika me dashje që ta privojë nga jeta tani të ndjerën, ka vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj të dëmtuarës, duke e dërguar në qoshe të dhomës nga ku nuk ka pasur mundësi të largohet e dëmtuara dhe nga goditjet dhe shtyrjet që i ka bërë tani të ndjerës i pandehuri Nika e ka nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë, me ç’rast tani e ndjera M.K.U. ka pësuar lëndime të rënda trupore edhe përkundër trajtimit mjekësor e njëjta ka ndërruar jetë në QKUK.
Andaj për shkak veprimeve të lartpërmendura Endrit Nika nga Prokuroria po akuzohet se ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë