Të dielën (1 qershor) është futur në fuqi vendimi për tregun e lirë energjetik për 1,300 ndërmarrje, përkundër kundërshtive të komunitetit të bizneseve në Kosovë.
Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës në një intervistë për ‘Info Magazine’ të Klan Kosovës ka deklaruar se përkundër se të dielave s’punojnë fabrikat, çmimi i energjisë arrin në 64,3 euro për megavat në të njëjtën ditë.
“Edhe pse është ditë e diel, kur asnjë fabrikë nuk operon, çmimi i energjisë arrin në 64.3 euro për megavat. Kësaj shume i shtohen edhe rreth 30 euro për tarifat e rrjetit (KOSTT dhe KEDS), si dhe kosto shtesë për administrim, rrezikshmëri dhe marzhë fitimi, për të cilat nuk dihet sa janë saktësisht. Kjo situatë krijon pasiguri të plotë, madje edhe kur bëhet fjalë për furnizim nga Furnizuesi i Fundit”, ka deklaruar ai.