Parakalimi i maturantëve në veri të Mitrovicës të premten e 23 majit, u shndërrua në një incident ku pati ndërhyrje të pjesëtarëve të policisë.
Lidhur me këtë rast ka folur sot drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Sipas tij, gjatë këtij defilimi në zonën e kafiterive disa pjesëmarrës kanë filluar të provokojnë qytetarët me thirrjet “Kosova është zemra e Serbisë” dhe me gjeste simbolike me tre gishta. Kjo ka nxitur reagimin e Policisë, me qëllim që të mos përshkallëzohej situata.
“Në këto rrethana, me qëllimin e vetëm që të mos përshkallëzohet situata, kanë ndërhyrë pjesëtarët e policisë që kanë qenë të caktuar për mbarëvajtjen e këtij defilimi,” u shpreh Hoxha.
Hoxha bëri të ditur se pjesëtari i policisë i cili u pa në video-incizime duke ndërhyrë, është kërcënuar me jetë.
“Ka pranuar kërcënime në rrjetet sociale të cilat menaxhohen nga grupet e serbëve në veri duke bërë thirrje për vrasjen e tij apo siç kanë thënë ata duke e kthyer atë në një kufomë. Ai është transferuar në Mitrovicën e Jugut për të shmangur ndonjë incident të mundshëm”, ka shtuar ai.
Drejtori i policisë tutje tha se edhe fletarresti i lëshuar nga Serbia për policin D.B është në vazhdën e përndjekjeve të policëve të Kosovës.
“Kjo propagandë e vazhdueshme e fabrikuar dëshmon që Policia e Kosovës është bërë traget i sulmeve hibride që burimin e kanë në Beogradin zyrtar”, tha Hoxha.
