• Sat. Nov 22nd, 2025

Në Kosovë gjithçka është e mundur – edhe një muaj larg pensionit, emërohet për mandat të ri!

May 19, 2025

 

 

Nëntë anëtarë të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të propozuar nga partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, sot e kanë dhënë betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, raporton KFVA.

Gjatë ceremonisë, anëtarët e rinj u zotuan se do t’i kryejnë detyrat e tyre me ndershmëri, besnikëri, paanësi, profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë.

Në mesin e tyre, ishte edhe Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje i njohur për sjelljet e tij arrogante në raport me mediat dhe sidomos për përplasjet e shpeshta në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve gjatë numërimit të votave në zgjedhjet e fundit.

Më 5 qershor të vitit 2025, anëtari i deritashëm i Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi, do të dalë në pension, pasi që do të arrijë moshën 65 vjeçare, pra pas një muaji. Këto të dhëna për datëlindjen e tij janë të publikuara në faqen e KQZ-së.

Ligji i Punës në Kosovë, në nenin 67, parasheh kufizimin e marrëdhënies së punës, e cila duhet të ndërpritet kur i punësuari e mbush moshën e pensionimit, prej 65 vjeç.

 

 

 

Sipas Kushtetutës, KQZ-ja është organ i përhershëm dhe puna e këtij instituicioni është e organizuar në mënyrë të vazhdueshme dhe jo vetëm gjatë zgjedhjeve.

Kjo do të thotë se 11 anëtarët e KQZ-së që emërohen nga Presidenti i Republikës nuk janë anëtar të ngjashëm me anëtarët e bordeve të Agjencioneve tjera shtetërore që themelohen nga Kuvendi dhe që puna e tyre është e organizuar me orar të pjesshëm.

Prej disa ditësh, presidentja Osmani ka nisur procedurat për emërimin e anëtarëve të rinj të KQZ-së.

Sipas ligjit për zgjedhjet, Presidenti i Kosovës bazuar në rezultatet që kanë dalur nga zgjedhjet e përgjithshme, jo më vonë se 30 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve për Kuvend, u kërkon grupeve parlamentare/subjekteve politike që të propozojnë me shkrim kandidatët për anëtar të KQZ.

Sipas të njëjtit ligj, grupet parlamentare/subjektet politike brenda afatit prej shtatë (7) ditësh i dërgojnë propozimet e tyre dhe emërimi nga Presidenti bëhet brenda pesë (5) ditësh nga dërgimi i propozimeve.

Kurteshi, në jo pak raste ka arritur të bëhet lajm për të keq, për shkak të sulmeve verbale ndaj mediave dhe përplasjeve të shpeshta gjatë numërimit të votave në QNR-në e KQZ-së.