• Fri. Nov 21st, 2025

“Për Kurtin më e rëndësishme Haxhiu se qytetarët”, “seancat të mbahen një herë në javë”, krejt çka thanë përfaqësuesit e partive sot

May 17, 2025

 

 

Kuvendi i Kosovës nuk është konstituar as në përpjekjen e 17-të. Në seancën e mbajtur të shtunën, sërish propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e një komisioni për votim të fshehtë dështoi, pasi nuk mori votat e mjaftueshme. 

Risia e vetme e seancës së sotme është që para fillimit të seancës, kryesuesi i saj, Avni Dehari, deputet i VV-së, i thirri tek foltorja e tij dhe iu propozoi atyre që seancat të mbahen një herë në javë, e jo çdo 48 orë, shkruan KFVA.

Por, kjo u refuzua kategorikisht nga PDK e LDK duke thënë se kërkesa e VV-së është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, e cila parasheh që seanca të thirret brenda 48 orëve.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, kanë propozuar që të mblidhen një herë në javë në tentim për konstituim të Kuvendit, e jo të vazhdohet me seanca çdo 48 orë.

“E para, deputetët e partisë që doli e para në zgjedhje, nuk erdhën as me kohë. Erdhën 45 minuta me vonesë. Kur erdhën patën një kërkesë që në mënyrë të organizuar ta shkelim rregulloren. Kërkesa e tyre është në kundërshtim me rregulloren që thotë se të mblidhemi çdo dy ditë derisa të konstituohet Kuvendi. Kërkuan të mblidhemi një herë në javë. E para është krejtësisht e papranueshme me bë kërkesë të tillë me shkelë deputetët rregulloren me vetëdije. E dyta vullneti i tyre nuk është në asnjë mënyrë me tentu me bë zgjidhje me lëviz para, por thjeshtë këto repriza mos me u mbajt jo çdo dy ditë, por çdo javë”, tha Krasniqi.

Ai tha se mbetet te presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, se kur do të dërgojë pyetje në Kushtetuese, nëse më herët nuk i drejtohet Kushtetueses ndonjë deputet.

Ai ka thënë se do të ishte më e udhës që Vetëvendosje ta ndërrojë kandidatin për kryetar të Kuvendit e të propozojë dikë të pranueshme e të procedohet me konstituim.

“Duket që për Kurtin është më e rëndësishme Albulena Haxhiu se qytetarët që kanë votuar më 9 shkurt”, tha ai.

Krasniqi ka thënë se në rrethana aktuale “shteti është jonfuksional” dhe se çdo vonesë po e dëmton më tepër.

Edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, konfirmoi se kryesuesi i seancës Avni Dehari, kërkoi para seancës së sotme që takimet për përpjekje rreth konstituimit të mbahen vetëm një herë në javë, dhe jo çdo 48 orë siç është përcaktuar në Rregullore.

“E shohim si indikacion shtesë që VV-ja nuk është absolutisht e interesuar ta bëjë konstituimin e Kuvendit”, deklaroi Bajrami, duke shtuar se i ka bërë të qartë Vetëvendosjes se mund të propozojë edhe 47 kandidatë të tjerë për kryetar kuvendi “për të parë se cili prej tyre i merr votat”.

“Ata mungesën e institucioneve e kanë reduktuar në problem të mbledhjes çdo 48 orë. Natyrisht që u refuzua një kërkesë e tillë”, theksoi ajo.

Bajrami u shpreh e zhgënjyer me faktin që vendi ka hyrë në një cikël bllokues, ndërsa partitë nuk po arrijnë të merren vesh për zgjidhje.

“Është fatkeqësi që jemi mbledhur për herë të 17-të”, ka thënë ajo.

Ndërsa, Mimoza Kusari-Lila, deputete e VV-së ndërsa foli për propozimin që seancat të mbahen një herë në javë, tha se ky propozim i tyre ka ardhë pasi 48 orëshi nuk po jep rezultat, shkruan Reporteri.net.

“Seanca filloi me konsultim që të ketë shmangie të Rregullores, të takohemi më rrallë, pasi 48-orëshi nuk po jep rezultat. Nga parafolësit u akuzuam për shkelje, por ishte vetëm një propozim për marrëveshje, jo vendim i njëanshëm”, tha Kusari-Lila, duke thënë se nuk ishte shkelje të Rregullores së Kuvendit.

“Kjo nuk ishte shkelje, sepse nuk u realizua. Ishte vetëm një propozim për dakordim mes të gjitha partive”, ka thënë Kusari-Lila gjatë deklarimit të saj.

Ajo sërish e theksoi se partitë që ishin në opozitë po vazhdojnë të mbajnë pozicione bllokuese.

Kurse, vet kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, ka thënë se propozimin që të mbahet seanca veç një herë në javë e ka bërë pasi nuk ka kuptim deputetët të vijnë çdo 48 orë në Kuvend kur rezultati po del i njejtë.

Dehari thotë se në seancën e radhës që do të mbahet më 19 maj, pret që grupet parlamentare të sjellin një vendim për këtë propozim.

“Ata po deklarohen para medieve sepse nuk ka kuptim që të vijnë çdo 48 orë, për shkak se rezultati po del i njëjtë dhe unë e pashë të nevojshme që të konsultohem me ta, nëse janë të mendimit ata shprehen mendimin që të konsultohen me grupet e tyre parlamentare dhe në seancën tjetër të sjellin një vendim. Rregullorja obligon që t`i thërrasësh deri sa nuk ka një zgjidhje, natyrisht do të ishte më mirë që të kishte zgjidhje, por derisa nuk ka zgjidhje detyrohesh t`i thërrasësh çdo 48 orë. Kam një takim me kryeministrin Kurti por të natyrës tjetër, jo për këtë”, ka deklaruar Dehari pas dështimit të konstituimit të Kuvendit.