Prindon Sadriu, bashkëshorti presidentes, Vjosa Osmani, është larguar nga pozita e Drejtorit të Departamentit për NATO dhe Politika të Sigurisë në MPJD dhe është sistemuar përkohësisht në pozitën e Drejtorit të Departamentit për Amerikë.
Gazeta raportoi se ky vendim u mor në prill të këtij viti nga ministrja në detyrë Gërvalla-Schwarz, i cili edhe është interpretuar si akt hakmarrjeje ndaj familjes Sadriu, pas prishjes së raporteve me zonjën Osmani.
Sadriu, i cili kishte përfunduar mandatin si diplomat në Ambasadën e Kosovës në Shkup, ishte emëruar në dhjetor 2023 nga vetë ministrja Gërvalla si drejtor për NATO dhe Politika të Sigurisë në MPJD. Në këtë pozitë ai shërbeu deri në fillim të prillit 2025.
Gazeta përmes burimeve brenda këtij dikasteri mësoi se ai është larguar nga kjo pozitë me urdhër të Donika Gërvallës e cila ishte bashkëpartiake me bashkëshorten e tij, Vjosa Osmanin.
Këtë informacion e ka konfirmuar Sadriu përmes një përgjigje dhënë Insajderit.
Ai konfirmoi se është larguar përkohësisht nga pozita e Drejtorit të Departamentit për Amerika, bazuar në një vendim zyrtar të MPJD-së.
“Prej datës 1 prill 2025, jam sistemuar përkohësisht në pozitën e Drejtorit të Departamentit për Amerikën, bazuar në një vendim zyrtar të MPJD-së, në të cilin theksohet se ky emërim është bërë për shkak të vlerësimit profesional të kapaciteteve të mia drejtuese dhe përvojës institucionale,” tha Sadriu.
Ai mohoi kategorikisht se mandati i tij në Departamentin për NATO ka përfunduar përfundimisht, apo se lëvizja lidhet me ndonjë mospërmbushje të detyrave.
“Nuk qëndron aspak pretendimi se ka përfunduar përgjithmonë mandati im në Departamentin për NATO dhe Politikën e Sigurisë, dhe aq më pak që ky ndryshim pozitash lidhet me ndonjë “mospërmbushje të detyrave”, siç është pretenduar në mënyrë krejtësisht të pavërtetë”, ka thënë Sadriu.
Përmes një përgjigje të dhënë për Gazetën, Sadriu ka konfirmuar pakënaqësitë e tij me vendimet që ka marr ministrja Gëvalla ndaj pozitës së tij në MPJD.
Ai hedh kritika ndaj menaxhmentit të lartë të MPJD’së për marrjen e vendimeve të qëllimshme dhe të njëanshme ndaj tij.
“…në periudha të caktuara janë ndërmarrë veprime të qëllimshme nga menaxhmenti i lartë i MPJD-së që kanë ngritur shqetësime serioze. Përfshirë këtu ndërprerjen e parakohshme dhe pa asnjë arsyetim të mandatit tim në Ambasadën në Shkup, vendime të njëanshme për sistemim të brendshëm, si dhe ndërhyrje të vazhdueshme që kanë cenuar drejtpërdrejt kompetencat funksionale të drejtorit të Departamentit për NATO dhe Politika të Sigurisë” ka thënë Sadriu
