Një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës ka mbetur i lënduar gjatë një aktiviteti stërvitor në poligonin ushtarak në Babaj të Bokës.
Lidhur me rastin, FSK-ja ka njoftuar se ushtari ka pësuar lëndime të lehta dhe se aktualisht ndodhet në gjendje stabile shëndetësore.
Sipas njoftimit, pjesëtarit i është dhënë ndihma e parë menjëherë pas incidentit, ndërsa trajtimi i tij mjekësor po vazhdon.
“Dje, gjatë realizimit të një aktiviteti stërvitor në poligonin ushtarak në Babaj të Bokës, një pjesëtar i FSK-së ka pësuar lëndim të lehtë. Menjëherë pas incidentit, pjesëtarit i është ofruar ndihma e parë mjekësore, ku po vazhdon trajtimin mjekësor dhe gjendja shëndetësore e pjesëtarit është stabile”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Sa i përket shkakut të incidentit, FSK-ja nuk ka dhënë hollësi, duke bërë të ditur se rasti është duke u trajtuar nga strukturat përgjegjëse.
“Rrethanat e incidentit janë duke u trajtuar nga strukturat përgjegjëse, në përputhje me procedurat institucionale”, thuhet më tej në njoftim.
Ndërkohë, sipas raportimeve të publikuara një ditë më parë, lëndimi dyshohet se ka ndodhur pas shpërthimit të municionit brenda armës që po përdorej gjatë stërvitjes.
Pas incidentit, ushtari fillimisht ishte dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Gjakovës, ndërsa më pas ishte transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
