Kosovë Kronikë Policore Lajme

Zyrtari policor e dorëzon uniformën, djali i ish-zëvëndëskomandantit!

Erlind Xhevat Ibra ka dhënë dorëheqje nga detyra e tij në Policinë e Kosovës, pas shtatë vjetësh shërbim në këtë institucion.

Ai është djali i Xhevat Ibrës, ish-zëvendëskomandantit dhe ish-zëdhënësit për informim në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë.

Në letrën e dorëheqjes, Erlind Ibra ka bërë të ditur se vendimin e ka marrë për arsye personale dhe familjare, por ka përmendur edhe mungesën e vlerësimit për kontributin dhe përkushtimin e tij ndër vite. Ai ka shprehur pakënaqësi për mënyrën se si është trajtuar angazhimi i tij profesional.

Në fund të letrës, Ibra ka falënderuar kolegët, familjarët dhe qytetarët që e kanë mbështetur gjatë karrierës së tij policore, duke e përmbyllur me fjalët: “Mirë u pafshim Kosova ime e dashur!”.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë letrën e dorëheqjes:

Të nderuar,

Përmes kësaj shkrese dëshiroj të paraqes dorëheqjen time nga detyra zyrtare në Policinë e Kosovës, pas një periudhe shtatëvjeçare të shërbimit dhe angazhimit tim në këtë institucion.

Ky vendim nuk është marrë lehtë, pasi gjatë këtyre viteve kam investuar kohë, përkushtim dhe energji në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive të mia. Megjithatë, për shkak të rrethanave personale dhe familjare, si dhe ndryshimeve në prioritetet e mia jetësore, kam ardhur në përfundim se largimi nga detyra është vendimi më i përshtatshëm për mua në këtë fazë të jetës.

Përveç arsyeve personale dhe familjare, një ndër faktorët që kanë ndikuar në marrjen e këtij vendimi është edhe ndjenja e mungesës së vlerësimit të kontributit dhe përkushtimit tim ndër vite. Fatkeqësisht, në disa raste jam ndier i pavlerësuar dhe i zhgënjyer nga mënyra se si është trajtuar angazhimi im profesional. Më ka shqetësuar veçanërisht fakti që, në vend të mbështetjes dhe vlerësimit për punën e bërë, jam përballur me situata dhe sjellje nga persona të caktuar, të cilat më kanë krijuar ndjenjën se janë përpjekur të më ulin profesionalisht dhe të zhvlerësojnë kontributin tim.

Besoj se çdo punonjës që shërben me ndershmëri, përgjegjësi dhe përkushtim meriton respekt, dinjitet dhe vlerësim për punën e tij. Për mua, dinjiteti profesional dhe respekti i ndërsjellë kanë qenë gjithmonë parime të rëndësishme.

Dua të theksoj se këto shtatë vite shërbimi do të mbeten pjesë e rëndësishme e përvojës sime jetësore dhe profesionale. Largohem me bindjen se kam dhënë kontributin tim, por edhe me keqardhjen që jo gjithmonë përkushtimi dhe puna e bërë janë vlerësuar ashtu siç e kanë merituar.

Andaj, në fund do t‘i falenderojë të gjithë ata kolegë, familjar e qytetar që më mundësuan dhe më mbështetën gjatë këtij rrugtimi në karrierën policore.

Ju falënderoj për mundësinë që më është dhënë të jem pjesë e këtij institucioni dhe kërkoj që dorëheqja ime të procedohet në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

Ju urojë gjitha të mirat dhe suksese Policisë Kosovës

Mirë u pafshim Kosova ime e dashur !

Me respekt,

Erlind Xhevat Ibra