Koreja e Jugut raportoi të premten rastin e parë të kolerës në 10 vjet. Autoritetet shëndetësore u bënë thirrje qytetarëve të marrin masa parandaluese, të përdorin vetëm ujë të sigurt për konsum dhe të lajnë mirë ushqimet.
Agjencia Koreane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve bëri të ditur se analizat konfirmuan praninë e kolerës te një person që ishte paraqitur në urgjencën e një spitali në qytetin portual të Changwonit, në juglindje të vendit, në fillim të këtij muaji. Personi kishte shfaqur simptoma të vjellash dhe diarresë.
Sipas agjencisë, personi, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, u shërua dhe doli nga spitali të martën. Ai nuk kishte udhëtuar jashtë vendit gjatë dy muajve të fundit. Autoritetet shëndetësore po përpiqen të identifikojnë burimin e infeksionit dhe personat me të cilët i infektuari ka pasur kontakte.
Rasti i fundit i kolerës në vend ishte regjistruar në vitin 2016, kur autoritetet identifikuan tri raste që dyshohej se ishin shkaktuar nga prodhimet e detit të kontaminuara. Ndërsa në një shpërthim më të madh të sëmundjes në vitin 2001, u prekën të paktën 162 persona.
Kolera përhapet kryesisht përmes ujit dhe ushqimeve të kontaminuara. Sipas agjencisë, ajo mund të transmetohet edhe nëpërmjet kontaktit me feçet ose të vjellat e një personi të infektuar. Diarreja është simptoma më e zakonshme, ndërsa rastet e rënda mund të shkaktojnë dehidratim ose shok, të cilat mund të jenë fatale nëse trajtimi vonohet.
Agjencia publikoi udhëzime ku u kërkon qytetarëve të përdorin ujë të sigurt, të konsumojnë ushqime të gatuara dhe t’i lajnë e qërojnë frutat dhe perimet. Gjithashtu, u bëri thirrje institucioneve shëndetësore të kryejnë sa më shpejt analizat dhe të raportojnë rastet e dyshuara.
