Kosovë Lajme

Hekuran Murati njofton se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj Përparim Ramës!

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurori ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij në Komunën e Prishtinës.

Ai ka thënë se ky kallëzim penal ka ardhur në lidhje me keqpërdorimin 2.2 milionë eurove mjete buxhetore, siç është konstatuar edhe nga auditimi i Zyrës Kombëtare të Auditimit.

“Veprimet e dyshuara që kanë rezultuar me keqpërdorim të 2.2 milione eurove janë: keqpërdorimi i detyrës zyrtare, falsifikimi i dokumentit zyrtar, mashtrimi, dhe përdorimi i paautorizuar i pasurisë”, ka shkruar Murati.

Ai ka thënë se Ministria e Financave ka nënshkruar marrëveshje financiare me BERZH-in për kredi 5 milionë euro, dhe ka thënë se këto mjete i ishin vënë në dispozicion Komunës së Prishtinës për investime në renovim dhe ngrohje të shkollave, çerdheve, dhe institucioneve tjera publike.