Botë Lajme Tech & Inovacion

Nga bankat te aeroportet – Pse po dështojnë sistemet teknologjike në botë dhe sa duhet të shqetësohemi?

Ndërprerjet e shërbimeve dhe problemet teknologjike nuk janë diçka e pazakontë, por ajo që ka ndodhur gjatë javës së fundit në botë ka ngritur shqetësime serioze.

Microsoft u përball me një ndërprerje masive të shërbimeve, mijëra aeroplanë mbetën në tokë për disa orë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa probleme teknike u raportuan edhe në Agjencinë e Sigurisë Kombëtare amerikane (NSA).

Sikur të mos mjaftonin këto, probleme goditën edhe bankat më të mëdha amerikane, teksa u zbulua një dobësi serioze sigurie në një prej gjuhëve programuese më të përdorura në botë.

Ndonëse bëhet fjalë për incidente të ndara, fakti që të gjitha ndodhën brenda një periudhe kaq të shkurtër ka ngritur pikëpyetje nëse ekziston ndonjë lidhje ndërmjet tyre.

Deri më tani nuk ka dëshmi që sugjerojnë një gjë të tillë. Megjithatë, këto incidente zbulojnë shumë për mënyrën se si funksionon bota moderne e teknologjisë dhe sa e cenueshme është ajo, shkruan BBC, transmeton Periskopi.

Çfarë po i shkakton këto probleme?

Një përditësim i rrjetit të Microsoftit shkaktoi mbingarkimin e serverëve dhe ndërprerjen e funksionimit të tyre.

Përpjekjet për modernizimin e një rrjeti të vjetruar ishin gjithashtu shkaktare të problemeve që lanë mijëra aeroplanë në tokë gjatë fundjavës në SHBA.

Problemet me sistemin e komunikimit të brendshëm të NSA-së, si dhe ato me shërbimet iCloud dhe Apple Pay, u lidhën po ashtu me përditësime të sistemeve.

Ndërkohë, ndërprerjet e pagesave në bankat amerikane iu atribuuan një defekti softuerik të JPMorgan Chase. Banka mohoi se bëhej fjalë për ndonjë incident të sigurisë kibernetike.

Por, disa nga incidentet e fundit lidhen drejtpërdrejt me dobësitë e sigurisë.

Inteligjenca artificiale u përdor për të identifikuar dobësi në Java, gjuhën e tretë programuese më të përdorur në botë.

Studiuesi i sigurisë kibernetike, Scott Helme, zbuloi gjithashtu një kod keqdashës në platformën Optimizely, e cila përdoret nga disa prej kompanive më të mëdha në botë.

Hakerët arritën të vidhnin rreth 7 mijë dollarë në kriptovaluta përpara se të zbuloheshin dhe të përjashtoheshin nga sistemi.

A po e përshpejton inteligjenca artificiale rrezikun?

Ekspertët paralajmërojnë se inteligjenca artificiale po u mundëson hakerëve të veprojnë shumë më shpejt se më parë.

“Do të isha shumë i befasuar nëse sulmuesit që qëndrojnë prapa këtyre sulmeve kibernetike nuk do ta përdornin inteligjencën artificiale për të përshpejtuar veprimet e tyre”, deklaroi Helme.

Pikërisht për shkak të këtyre rreziqeve, kompani si Anthropic dhe OpenAI kanë vendosur të kufizojnë qasjen e publikut në modelet më të avancuara të inteligjencës artificiale, duke ua mundësuar fillimisht përdorimin institucioneve dhe kompanive të përzgjedhura.

Megjithatë, inteligjenca artificiale po u ndihmon edhe ekspertëve të sigurisë që të identifikojnë dobësitë përpara se ato të shfrytëzohen nga kriminelët.

Kjo ndodhi së fundmi me Java dhe PHP, ku ekspertët u mobilizuan për të eliminuar dobësitë e zbuluara.

Bota po varet nga një grusht kompanish

Incidentet e fundit kanë rikthyer në vëmendje një problem tjetër: varësinë e jashtëzakonshme të botës nga një numër i vogël kompanish teknologjike.

Microsoft, Amazon dhe Google kontrollojnë një pjesë të konsiderueshme të infrastrukturës së serverëve në botë.

Në rastin e PHP-së, një pjesë e botës teknologjike mbeti në pritje të ndërhyrjes së një programuesi që punonte vullnetarisht për të rregulluar dobësitë e identifikuara.

Ndërkohë, Java, e cila menaxhohet nga gjiganti teknologjik Oracle, përdoret nga pothuajse të gjitha kompanitë më të mëdha në botë.

Një problem i vetëm në këto sisteme mund të shkaktojë pasoja zinxhir, duke prekur spitalet, shkollat, bankat, aeroportet dhe miliona qytetarë.

Rubio mohon se SHBA-ja ndodhet nën sulm sistematik

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka mohuar kategorikisht se ekziston ndonjë lidhje ndërmjet incidenteve të fundit.

Ai ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk ndodhen nën një sulm sistematik dhe se ngjarjet nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se problemet mund të vazhdojnë, veçanërisht për shkak të sistemeve të vjetruara dhe zhvillimit të shpejtë të inteligjencës artificiale.

Kjo e fundit pritet të zbulojë dobësi që mund të kenë ekzistuar në kodet programuese prej dekadash.

Përderisa hakerëve u mjafton të identifikojnë vetëm një dobësi për të depërtuar në një sistem, ekspertët e sigurisë duhet të mbrohen nga të gjitha sulmet e mundshme.

Gara ndërmjet hakerëve dhe ekspertëve të sigurisë kibernetike nuk pritet të përfundojë së shpejti. Me zhvillimin e inteligjencës artificiale, edhe rreziku i pasojave po bëhet gjithnjë e më i madh.