Pagjumësia prek 13.4 milionë njerëz vetëm në Itali dhe shumica e tyre janë gra. Megjithatë, vetëm 40 për qind marrin një diagnozë, ndërsa vetëm 21 për qind trajtohen. Mungesa e identifikimit dhe menaxhimit të çrregullimeve të gjumit ka pasoja të mëdha jo vetëm për shëndetin, por edhe për jetën sociale, punën dhe ekonominë e një vendi.
Kostoja e përgjithshme e pagjumësisë në Itali përllogaritet në rreth 14 miliardë euro, mes shpenzimeve për vizita, barna e shtrime në spital dhe kostove të tërthorta që lidhen me mungesat në punë, rënien e produktivitetit dhe aksidentet.
Në pranverë u paraqit edhe një projektligj që synon ta njohë pagjumësinë si një sëmundje më vete, potencialisht invaliduese dhe si prioritet të shëndetit publik. Propozimi parashikon gjithashtu krijimin e një Observatori Kombëtar për studimin e këtij çrregullimi, trajnimin e profesionistëve dhe hartimin e protokolleve të unifikuara për diagnostikimin dhe trajtimin.
A ka ekzistuar gjithmonë pagjumësia?
Për të kuptuar raportin tonë me gjumin, duhet të kthehemi pas në kohë.
Sipas historianit Roger Ekirch, i cili ka studiuar tekste të periudhës paraindustriale, përpara përhapjes së ndriçimit artificial në Europë, gjumi i natës ndahej shpesh në dy pjesë: “gjumi i parë” dhe “gjumi i dytë”.
Njerëzit flinin pak pas perëndimit të diellit dhe zgjoheshin pas tri ose katër orësh. Më pas kalonin një ose dy orë zgjuar, duke u lutur, reflektuar, kujdesur për zjarrin, kryer punë të vogla shtëpie ose biseduar me të tjerët. Pas këtij intervali riktheheshin në shtrat dhe flinin deri në agim.
Kjo teori mbetet e diskutueshme, por përputhet me disa eksperimente laboratorike ku, në kushte me net të gjata dhe pa ndriçim artificial, vullnetarët kanë shfaqur një gjumë të ndarë në dy blloqe.
Kjo do të thotë se gjumi i pandërprerë, ashtu siç e konsiderojmë sot “normal”, mund të jetë një zakon relativisht i ri, i lidhur me energjinë elektrike dhe organizimin industrial të jetës.
Ndaj, një zgjim i shkurtër gjatë natës nuk është domosdoshmërisht shenjë e një problemi.
Kur mund të flasim vërtet për pagjumësi?
Të gjithëve na ndodh herë pas here të zgjohemi në mes të natës ose të rrotullohemi për një orë në shtrat, sepse na pret një ditë e rëndësishme apo sepse mendimet nuk na lënë të qetë.
Pagjumësia kronike, megjithatë, është diçka tjetër.
Përkufizohet si cilësi ose sasi e pamjaftueshme e gjumit për të paktën tri net në javë, për të paktën tre muaj radhazi, e shoqëruar me pasoja të dukshme gjatë ditës.
Grupmoshat më të prekura janë personat nga 45 deri në 54 vjeç dhe ata mbi 65 vjeç. Por ajo që shqetëson gjithnjë e më shumë është rritja e rasteve mes adoleshentëve, e lidhur shpesh me përdorimin e tepruar të telefonit.
Në Itali, mes katër dhe pesë milionë njerëz mund të jenë duke jetuar me një çrregullim gjumi pa marrë trajtimin e nevojshëm.
Cilat janë shkaqet e pagjumësisë?
Pagjumësia nuk ka zakonisht vetëm një shkak. Mjekët dallojnë tri kategori kryesore faktorësh.
Faktorët predispozues lidhen me karakteristikat individuale, si reagimi i fortë ndaj stresit ose prirja familjare.
Faktorët nxitës janë ngjarjet që prishin një gjumë deri atëherë normal: humbja e një personi, ndryshimi i punës, një sëmundje, tensionet dhe shqetësimet e forta.
Faktorët që e mbajnë problemin gjallë janë zakonet që lindin pas shfaqjes së pagjumësisë, por që me kalimin e kohës e përkeqësojnë: të qëndrosh më gjatë në shtrat, të flesh gjatë ditës, të kesh frikë nga ora e gjumit apo ta shtysh vazhdimisht momentin e shtrirjes.
Pikërisht këto sjellje mund ta shndërrojnë një periudhë kalimtare pagjumësie në problem kronik.
Shkaqe të tjera mund të jenë apneja e gjumit, problemet hormonale, dhimbja kronike, ankthi, depresioni, ritmet e çrregullta të jetës, përdorimi i ekraneve në mbrëmje, hiperaktiviteti digjital dhe pasiguria ekonomike.
Ndikim mund të kenë edhe disa medikamente, si dhe konsumimi i tepërt i kafeinës, alkoolit apo substancave të tjera.
Si e dëmton jetesa moderne gjumin?
Gjumi rregullohet nga ritmi cirkadian, ora jonë biologjike e sinkronizuar nga drita, dhe nga “presioni i gjumit”, i cili rritet sa më gjatë qëndrojmë zgjuar.
Stili modern i jetës i çrregullon të dy këta mekanizma.
Gjatë ditës marrim pak dritë natyrale, ndërsa në mbrëmje ekspozohemi tepër ndaj dritës artificiale, sidomos asaj të ekraneve. Kjo e zhvendos orën biologjike dhe e vonon gjumin.
Ndryshimi i madh mes orareve të javës dhe fundjavës krijon atë që quhet “jet lag social”: organizmi nuk arrin të kuptojë më se kur duhet të zgjohet dhe kur duhet të pushojë.
Kafeina mund të mbetet aktive në trup për shumë orë. Alkooli, edhe pse mund të na bëjë të përgjumur në fillim, e fragmenton gjumin në pjesën e dytë të natës.
Sedentarizmi dhe stresi krijojnë një tjetër kontradiktë: trupi lëviz pak, por mendja vazhdon të jetë gjithmonë “e ndezur”.
Ndërsa telefoni në shtrat na ekspozon pa pushim ndaj përmbajtjeve që e stimulojnë trurin dhe e shtyjnë gjithnjë e më tej orën e gjumit.
Pse gratë flenë më keq?
Nuk është rastësi që pagjumësia prek më shpesh gratë.
Hormonet luajnë një rol të rëndësishëm. Gjatë ciklit menstrual, progesteroni favorizon gjumin e thellë, ndërsa estrogjeni ndikon te temperatura e trupit dhe faza REM. Ndryshimet e forta hormonale gjatë fazës para menstruacioneve mund ta rrisin temperaturën bazale dhe ta bëjnë gjumin më të ndërprerë.
Gjatë perimenopauzës dhe menopauzës, ulja e estrogjenit mund të shkaktojë afshe të nxehta gjatë natës dhe mikrozgjime të vazhdueshme.
Kësaj i shtohen faktorët psikologjikë dhe shoqërorë. Ankthi dhe depresioni mund të ushqejnë mendimet e pafundme gjatë natës, ndërsa privimi kronik nga gjumi e përkeqëson më tej rregullimin emocional.
Pesha e punës së kujdesit, menaxhimi i shtëpisë dhe i ashtuquajturi “ngarkim i dyfishtë”, puna e paguar dhe ajo familjare, mund të mbajnë të larta nivelet e stresit edhe në orët e mbrëmjes.
Pasojat e pagjumësisë në trup dhe mendje
Të flesh keq nuk do të thotë vetëm të ndihesh i lodhur.
Rreth 62 për qind e pacientëve raportojnë vështirësi përqendrimi, ndërsa 57 për qind probleme me kujtesën. Rreth 82 për qind vërejnë rënie të performancës në punë.
Pagjumësia rrit edhe rrezikun e aksidenteve. Një studim te drejtuesit e automjeteve me pagjumësi gjeti një rrezik 1.8 herë më të lartë.
Në planin shëndetësor, pagjumësia kronike lidhet me një rrezik më të madh për sëmundje kardiovaskulare, neurologjike dhe çrregullime të humorit.
Marrëdhënia është e dyanshme: gjumi i keq mund t’i përkeqësojë këto gjendje, por edhe vetë këto sëmundje mund ta dëmtojnë gjumin.
10 këshilla për të fjetur më mirë
1. Mbani orare të rregullta. Shtrihuni dhe zgjohuni afërsisht në të njëjtën orë çdo ditë, edhe gjatë fundjavës.
2. Dilni në dritë natyrale në mëngjes. Ekspozimi ndaj dritës në orët e para të ditës ndihmon në rregullimin e ritmit cirkadian.
3. Kufizoni kafeinën pas mesditës. Kafeja, çaji dhe pijet energjike mund të ndikojnë te gjumi edhe shumë orë pas konsumimit.
4. Shmangni alkoolin dhe darkat e rënda. Çdo tepricë duhet mbajtur larg orarit të gjumit.
5. Fikni ekranet. Përpiquni të mos përdorni telefonin dhe tabletin të paktën një orë përpara se të shtriheni.
6. Krijoni një ambient të përshtatshëm. Dhoma duhet të jetë e freskët, e qetë dhe e errët. Shtrati duhet përdorur kryesisht për të fjetur.
7. Krijoni një ritual mbrëmjeje. Një dush i vakët, lexim i lehtë apo disa ushtrime frymëmarrjeje i sinjalizojnë trupit se ka ardhur momenti për të ngadalësuar ritmin.
8. Lëvizni rregullisht gjatë ditës. Aktiviteti fizik e përmirëson gjumin, por stërvitjet shumë intensive duhen shmangur në orët e vona.
9. Mos qëndroni gjatë zgjuar në shtrat. Kur kanë kaluar rreth 20 minuta dhe gjumi nuk vjen, është më mirë të ngriheni dhe të bëni një aktivitet të qetë derisa të ndiheni të përgjumur. Mos e kontrolloni vazhdimisht orën.
10. Shmangni dremitjet e gjata. Kur janë vërtet të nevojshme, duhet të jenë të shkurtra dhe jo pas mesit të pasdites.
Një natë e keqe herë pas here nuk është alarm. Por kur vështirësia për të fjetur përsëritet, zgjat me muaj dhe prek energjinë, përqendrimin, humorin apo punën, nuk duhet trajtuar thjesht si lodhje. Pagjumësia është një çrregullim real dhe kërkimi i ndihmës profesionale është pjesë e trajtimit, jo shenjë dobësie.
