Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet sot për të shqyrtuar një varg pikash të rëndësishme të rendit të ditës, në krye të të cilave qëndron shqyrtimi i parë i Projektligjit për Buxhetin e vitit 2027.
Sipas njoftimit, pika e parë e takimit është shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 11/L-028 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027, i ndjekur nga shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 11/L-020 për Efiçiencë të energjisë, si dhe ai për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.
Në rend dite pritet të trajtohen edhe çështje që lidhen me emërime dhe shkarkime në institucione të pavarura dhe publike, përfshirë Bordin e RTK-së dhe Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Pikat e tjera të rendit të ditës përfshijnë:
Procedimi i nismave legjislative të qytetarëve për hartimin e projektligjeve nga Kuvendi i Republikës së Kosovës;
Emërimi i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës;
Zgjedhja e dy anëtarëve nga komuniteti shqiptar, një anëtari nga komuniteti serb dhe një anëtari nga komunitetet joshumicë në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK);
Rekomandimi i Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e katër (4) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës;
Propozimi i Grupit Parlamentar të LDK-së për zëvendësimin e anëtarit në Komisionin Parlamentar Hetimor për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.
