Botë Lajme

Blackout botëror më 17 nëntor? Si u përhap alarmi i rremë që trembi miliona njerëz

Një ndërprerje masive e energjisë elektrike, internetit dhe shërbimeve bankare, që do të niste më 17 nëntor dhe do të zgjaste deri në 72 orë. Ky ishte skenari apokaliptik që qarkulloi për javë të tëra në rrjetet sociale.

Por verifikimet e mediave ndërkombëtare dhe dokumentet zyrtare tregojnë se bëhet fjalë për një alarm të rremë dhe se nuk ekziston asnjë provë apo paralajmërim zyrtar për një blackout botëror sot.

Por si lindi kjo histori dhe përse u besua nga kaq shumë njerëz? Në origjinë të saj është një ushtrim i vërtetë i autoriteteve amerikane qe kishin planifikuar prej muajit shtator një test kombëtar të sistemit të alarmit për emergjencat. Testi, i parashikuar në orën 14:20, ose 20:20 me orën e Shqipërisë, konsiston në transmetimin e një mesazhi provë në radio dhe televizione.

Megjithatë, në rrjetet sociale ky ushtrim u paraqit si paralajmërim për një sulm. Disa llogari që promovojnë kriptomonedhat shkuan edhe më tej, duke u kërkuar njerëzve të tërhiqnin paratë nga bankat dhe t’i investonin në monedha digjitale përpara katastrofës së supozuar. Në përhapjen e panikut u përdorën edhe video të manipuluara të presidentit Trump.

Në njërën, Trump dukej sikur paralajmëronte një ndërprerje 90-ditore të energjisë elektrike. Pamjet ishin marrë nga një konferencë e 9 nëntorit dhe ishin ndryshuar për t’i atribuuar presidentit deklarata që ai nuk i kishte bërë.

Alarmi u përforcua edhe nga keqinterpretimi i rekomandimeve të Bashkimit Europian për përgatitjen e qytetarëve ndaj emergjencave për të pasur rezerva ushqimore, ujë dhe mjete të domosdoshme për të paktën 72 orë. Në të vërtetë, këto rekomandime janë masa të përgjithshme sigurie për situata të ndryshme krizash dhe nuk kanë asnjë lidhje me datën 17 nëntor.