Botë Lajme

Zbulohen detaje të pabesueshme pas pezullimit të të gjitha fluturimeve në Shtetet e Bashkuara

Sipas një raportimi të ri, gjithçka nisi nga një kabllo e vetme me defekt, në një zonë të humbur të Arkansasit.

Më në fund është zbuluar shkaku i vetëm që çoi në pezullimin e të gjitha fluturimeve në Shtetet e Bashkuara, për herë të parë që nga sulmet e 11 shtatorit. Detaje të tjera të pabesueshme kanë dalë në dritë rreth pezullimit të fluturimeve në mbarë vendin, që shkaktoi kaos të plotë në SHBA.

Sipas një raportimi të ri, gjithçka nisi nga një kabllo e vetme me defekt, në një zonë të humbur të Arkansasit. Wall Street Journal zbuloi se problemi e kishte origjinën në një stacion radiokomunikimi të Administratës Federale të Aviacionit (FAA) në El Dorado të Arkansasit, ku një ruter i sapoinstaluar e mbingarkoi rrjetin me trafik të tepërt të dhënash. Kjo shkaktoi ndërprerje të mëdha në komunikimin ndërmjet pilotëve dhe kontrollorëve të trafikut ajror, duke çuar në pezullimin e të gjitha fluturimeve.

“Identifikuam dy pika që po dërgonin kërkesa drejt rrjetit tonë me një ritëm shumë të lartë: një mijë lidhje çdo katër deri në pesë sekonda”, tha të shtunën, sipas orës lokale, Rebecca Guy, drejtuesja e teknologjisë në FAA.

Më shumë se 3.500 fluturime u mbajtën në tokë gjatë ndërprerjes që zgjati rreth pesë orë, duke lënë dhjetëra mijëra udhëtarë të bllokuar dhe duke shkaktuar vonesa e anulime të shumta.

Zyrtarët po hetojnë ende nëse defekti i kabllos u shkaktua nga pajisje me defekt apo nga gabime gjatë instalimit nga kompania kontraktuese L3Harris.

Donald Trump, i cili kishte qëndruar jashtëzakonisht i heshtur teksa trafiku ajror mbi SHBA ishte paralizuar, e theu më në fund heshtjen të dielën, duke folur për incidentin.